Policia jep detaje për plagosjen e djeshme në Prishtinë, një person në gjendje të rëndë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me rastin që ndodhi të enjten mbrëma në rrugën “Papa Gjon Pali” në Prishtinë, ku mbetën të plagosur dy persona.

Sipas raportit policor, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, kur dy viktima kanë pësuar lëndime si pasojë e një sulmi të kryer nga një i dyshuar.

Policia njofton se pas incidentit ka arritur ta lokalizojë të dyshuarin, i cili kishte marrë një plagë në këmbë dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor.

Sipas autoriteteve, dyshohet se në rast është përdorur armë zjarri. Njëri nga viktimat dhe i dyshuari vazhdojnë të qëndrojnë në QKUK nën mbikëqyrjen e policisë për shkak të lëndimeve të marra.

“Viktima është në gjendje të rëndë shëndetësore”, thuhet në raportin e Policisë, duke iu referuar vlerësimit të mjekut.

Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe gjatë hetimeve kanë konfiskuar veturën në të cilën kishte ndodhur rasti.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa hetimet për rastin e cilësuar si “Vrasje e rëndë në tentativë” janë duke vazhduar.

Të fundit nga rubrika