Një zjarr ka shpërthyer mbrëmjen e 3 korrikut në Zonën Industriale të Prishtinës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk është raportuar për persona të lënduar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, tha se njësitet policore kanë reaguar menjëherë, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e zjarrfikësve, të cilët janë angazhuar intensivisht në lokalizimin dhe shuarjen e flakëve.

“Rreth orës 20:00, është raportuar për një zjarr aktiv në objektin e një kompanie në zonën industriale në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët po punojnë intensivisht për lokalizimin e zjarrit. Sipas informacioneve fillestare, dëmet janë të konsiderueshme, ndërkaq nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, ndërkaq, për të dalë në vendin e ngjarjes policia ka ftuar edhe zyrtarin për hetimin e shkaqeve të zjarrit Policia fton qytetarët e zonës të shmangin lëvizjet përreth zonës për sigurinë e tyre dhe për të mos penguar intervenimin e ekipeve emergjente”, ka njoftuar Borovci.