Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit ka konfiskuar dy armë zjarri në rajonin e Mitrovicës në dy raste të ndara. Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Në rastin e parë, një person është arrestuar në Vushtrri nën dyshimin për armëmbajtje pa leje, pas një hetimi që e lidhi atë me një rast kanosjeje.

“Ne rastin e parë, arrestimi i të dyshuarit për armëmbajtje pa leje është realizuar në Vushtrri, si rrjedhojë e një hetimi pasi i dyshuari ishte përfshirë në një rasti me elemente të veprës penale kanosje, me ç’ rast gjatë kontrollit të detajuar në posedim tek personi i dyshuar është gjetur dhe konfiskuar një armë e shkurtë pistoletë me nëntë fishek dhe një thikë. Pas intervistimit me aktvendim te Prokurorit kompetent të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor. Ndaj tije është iniciuar rast për veprat ‘Kanosje” dhe “Mbajtje në pronësi, posedim, kontroll të paautorizuar të armës””, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, në rastin e dytë të ndodhur në Mitrovicë, policia ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të një fotografie ku një person shfaqej me armë dhe thikë.

“Ndërsa në rastin e dytë në Mitrovicë, policia ka konfiskuar një armë te llojit pistoletë dhe një thikë, pasi i dyshuari jave me parë te njëjtat i kishte i kishte postuar ne rrjete sociale. I dyshuari është shoqëruar për intervistim, me pas është liruar ne procedurë të rregullt. Ndaj tije është iniciuar raste për veprën penale ” Mbajtje në pronësi, posedim, kontroll të paautorizuar të armës””, thuhet më tej në njoftim.