Policia me plan operativ për zgjedhjet e 7 qershorit

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka hartuar dhe ka vënë në zbatim planin operativ për mbarëvajtjen e “Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026 në gjithë territorin e vendit.

Sipas njoftimit zyrtar, plani është hartuar në bazë të ligjeve në fuqi dhe autorizimeve institucionale, me qëllim garantimin e një procesi zgjedhor të qetë, të sigurt dhe të organizuar.

Policia ka bërë të ditur se urdhri operativ parasheh angazhimin e një numri të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë nga njësitet e rendit publik, si dhe nga njësi të tjera operative, varësisht nga nevoja, të mbështetur edhe me pajisje logjistike.

“Policia e Kosovës, bazuar në ligjet pozitive të vendit dhe autorizimeve institucionale, me kohë ka hartuar urdhrin operativ dhe ka bërë të gjitha planifikimet lidhur me “Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, të cilat do të mbahen me datën 07 qershor 2026 në Republikën e Kosovës.

Përmes urdhrit operativ, parashihen të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, përfshirë pajisjet e nevojshme logjistike, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Plani operativ përfshin katër faza:
1) Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese,
2) Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore,
3) Garantimi i sigurisë në ditën e zgjedhjeve dita (Z),
4) Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

Faza e parë veçse është realizuar dhe tani jemi në zbatimi të fazës së dytë, të angazhimit në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, për të vazhduar sipas planit me fazat tjera, deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Qëllimi i këtij urdhri operativ edhe në këtë proces zgjedhor është:

• Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

• Ngritja e vigjilencës, sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrës së numërimit të rezultateve.

• Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

• Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Sikurse edhe në planifikimet e kaluara, sipas memorandumit të bashkëpunimit në mes të KQZ-së, Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Këshillit Gjyqësor, janë caktuar zyrtarë/hetues në drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit. Po ashtu janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit si dhe të jetë transparente mbi punën dhe angazhimet e saja policore.

Si zakonisht, inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.
Raportoni, nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore”, thuhet në njoftim.

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika