Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi të shtuar gjatë ditëve të acarta, me qëllim të shmangies së rrezikut për sigurinë në rrugë dhe hapësira publike.

Në njoftimin e Policisë thuhet se kushtet e ulëta të temperaturave dhe ngricat mund të paraqesin rrezik serioz për qarkullimin rrugor dhe për këmbësorët, veçanërisht në rrugë, trotuare dhe hapësira të tjera publike.

Policia ka drejtuar apel të veçantë edhe ndaj pronarëve të autolarjeve, duke kërkuar kujdes të shtuar në derdhjen e ujërave në trotuare dhe rrugë, pasi kjo shkakton krijimin e ngricave dhe rrit rrezikun për aksidente trafiku.

Sipas Policisë, këto ngrica paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e këmbësorëve dhe automjeteve.

“Për këtë arsye, në bashkëpunim me organet kompetente komunale, do të ndërmerren masa të shtuara kontrolli dhe do të zbatohet ligji ndaj të gjithë atyre që shkelin këto rregulla”, thuhet në njoftim.