Policia e Serbisë bastisi të hënën banesën dhe zyrën e analistit ushtarak, Aleksandar Radiq, në Beograd, në kuadër të hetimeve që Prokuroria e Lartë Publike ka nisur për rastin e përdorimit të “topit zanor”, gjatë një proteste antiqeveritare më 15 mars 2025, njoftoi Prokuroria në këtë vend.
Avokati Stefan Qorda, i cili përfaqëson Radiqin, tha se Prokuroria nuk ka kërkuar paraburgim për klientin e tij dhe se ai është i lirë.
Kontrolli i gjërave të Radiqit në disa lokacione ka përfunduar rreth orës 21:00, ndërsa policia “ka kontrolluar gjithçka në detaje”, përfshirë pajisjet dhe kompjuterët, tha ai për televizionin N1.
“Ata, madje, kanë marrë disa kompjuterë të vajzës së tij. Ishte vërtet një kontroll shumë i gjerë, sikur të bëhej fjalë për ndonjë kriminel të madh, e që Aleksandar Radiq nuk është”, tha Qorda.
Ai përcolli edhe fjalët e klientit të tij se beson se bëhet fjalë për një “fushatë kundër tij”.
Analisti ushtarak nga Beogradi, Radiq, është një nga të parët që ka folur publikisht për përdorimin e “topit zanor” gjatë protestave të 15 marsit 2025.
Aksionin policor dhe marrjen në pyetje të Radiqit e komentoi për televizionin Informer edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se “të gjithë ata që kanë pretenduar se autoritetet kanë përdorur ‘top zanor’, do të thirren për të dhënë deklarata”.
Kjo bastisje u zhvillua tri ditë pas njoftimit të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se po zhvillon hetime për lidhjet e lëvizjes studentore me rastin e “topit zanor”.
Gjatë protestës masive antiqeveritare më 15 mars të vitit të kaluar, mijëra njerëz u shpërndanë nga rruga teksa nderonin viktimat e shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Pjesëmarrësit dëshmuan se kanë dëgjuar një zhurmë të madhe dhe dridhje të pazakonta që i kanë detyruar të largohen.
Prokuroria tha se ka siguruar informacione për një takim të studentëve protestues në janar të vitit 2025 dhe se ekziston dyshimi se pjesëmarrësit e atij takimi, pas këtyre bisedimeve, kanë filluar të punojnë në realizimin e një plani “për të simuluar një situatë”, në të cilën do të dukej se policia ka përdorur “top zanor”.
Studentët i mohuan këto pretendime në rrjetet sociale, duke thënë se bëhet fjalë për “një tjetër gënjeshtër dhe devijim të vëmendjes nga pyetja thelbësore – çfarë ndodhi më 15 mars?”
Gjatë bastisjes së banesës së Radiqit, policia i dërgoi ftesë për intervistim edhe kryeredaktorit të agjencisë së lajmeve Beta, Vojkan Kostiq.
Ai ishte të hënën në mbrëmje në një bisedë informative në Drejtorinë e Policisë Kriminale, pas së cilës u lirua, njoftoi agjencia Beta, transmetoi Shërbimi i Ballkanit i REL-it.
“Policisë i thashë se isha duke pirë kafe me Radiqin kur inspektori e telefonoi dhe i tha të shkonte menjëherë në banesë, pa ndonjë shpjegim se për çfarë bëhej fjalë. Si bashkëpunëtor profesional dhe mik i Radiqit, u ofrova të shkoja me të, duke menduar se mund të ishte ndonjë hyrje me forcë”, tha Kostiq.
Asociacioni i Mediave Elektronike të Pavarura në Serbi (ANEM) shprehu shqetësim për operacionin kundër Radiqit dhe thirrjen për intervistim të redaktorit të agjencisë Beta.
“Shënjestrimi i gazetarëve dhe analistëve përbën kërcënim për lirinë e shprehjes dhe të medias në Serbi dhe kjo duhet të ndalet urgjentisht”, u tha në deklaratë.
Rasti i “topit zanor” në Prokurorinë e Parë Themelore në Beograd, edhe pas më shumë se një viti, ndodhet ende në fazën e hetimeve paraprake.
Nga kjo prokurori është bërë e ditur për Radion Evropa e Lirë se janë siguruar raportet e institucioneve shtetërore dhe video-incizime nga kamerat e sigurisë, si dhe janë marrë në pyetje rreth 170 qytetarë.
Ndërsa disa aktivistë, hetues të pavarur dhe opozitarë pretendojnë se policia ka përdorur armë zanore, autoritetet e mohojnë një gjë të tillë.
Rasti ka tërhequr vëmendjen edhe të opinionit ndërkombëtar.
Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për hetime./RadioEvropaeLirë