Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë për protestën e paralajmëruar sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale dhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Policia ka bërë të ditur se do të angazhojë njësi policore për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, ndërsa, në varësi të zhvillimeve në terren, mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në rrugët përreth sheshit.
Në njoftim thuhet se masat janë shtuar pas zhvillimeve të mbrëmshme, kur disa protestues hodhën mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta në drejtim të objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë.
Sipas Policisë, gjatë ndërhyrjes për vënien e situatës nën kontroll dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm, janë përdorur sprej, gaz lotsjellës dhe topi i ujit për shpërndarjen e turmës.
Tre persona janë arrestuar për mosrespektim të urdhrave policorë dhe shkelje të ligjit. Dy prej tyre, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka njoftuar se 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të ndryshme dhe kanë marrë tretman mjekësor. Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 qytetarë/protestues dhe një gazetar.
Institucioni ka bërë të ditur se pas operacionit ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), i cili është autoriteti kompetent për vlerësimin e dyshimeve eventuale për tejkalim të autorizimeve policore.
Policia u ka bërë thirrje protestuesve që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë.
Zyrtarët policorë do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në terren gjatë protestës së sotme për të garantuar sigurinë publike, lirinë e lëvizjes dhe mbarëvajtjen e tubimit.