Policia e Kosovës ka njoftuar se disa e-maile që po qarkullojnë së fundmi nëpër adresa të ndryshme elektronike janë të rreme dhe nuk kanë lidhje me institucionin.

Sipas njoftimit, këto mesazhe pretendojnë se janë dërguar nga zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës, Agjencia e Sigurisë Kibernetike, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale.

Mesazhet shpesh titullohen “Thirrje Gjyqësore”, por Policia thekson se nuk bëhet fjalë për dokumente zyrtare.

“Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, me numër referues të dosjeve të lëshuara kinse siç potencohen në e-maile nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale etj., NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara,” thuhet në komunikatën e PK-së.

Policia u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre mesazhave të rreme.