Njësia për Kontroll të Autostradave, në kuadër të planit “Parandalimi i garave ilegale të shpejtësisë në autostradë”, ka parandaluar tri raste të garave ilegale gjatë javës së fundit.
Sipas Policisë së Kosovës, në këto raste janë shqiptuar gjithsej disa masa ndëshkuese, përfshirë 2 gjoba për pjesëmarrje në gara ilegale të shpejtësisë, 1 gjobë për vazhdim të masës mbrojtëse, 1 gjobë për tejkalim të shpejtësisë dhe 1 gjobë për drejtim të automjetit pa leje për kategorinë përkatëse.
Gjatë vikendit, policia ka sekuestruar përkohësisht 4 automjete të dyshuara për modifikime në sistemin e tërheqjes. Automjetet do t’i nënshtrohen kontrollit teknik të jashtëzakonshëm.
Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të bashkëpunojnë në parandalimin e garave ilegale, duke raportuar me kohë çdo informacion për persona apo grupe që organizojnë ose planifikojnë aktivitete të tilla, në mënyrë që të merren masat ligjore përkatëse.