Policia në qytetin gjerman të Hamburgut po merret me një situatë të dyshuar të pengmarrjes në aeroport, pasi një burrë i armatosur ka kaluar barrierat e sigurisë me veturë dhe gjendet te pjesa ku zakonisht aeroplanët parkohen.

Siç raporton BBC, Policia ka thënë se dyshohet se janë të paktën dy persona në veturë, përfshirë një fëmijë.

Dyshohet që një baba ka marrë peng vajzën e tij 4-vjeçare duke synuar që me vajzën të ikë për në Turqi.

Policia ka thënë se është në kontakt me personin që u fut në aeroport të shtunën rreth orës 20:00, ndërkaq, bashkëshortja e të dyshuarit ka raportuar për pengmarrjen e fëmijës.

“Mendohet se një betejë për kujdestari të fëmijës qëndron prapa këtij rasti”, thuhet në deklaratën e policisë.

Policia ka thënë se i dyshuari ka shtënë dy herë në ajër dhe ka gjuajtur molotov.

Gjitha fluturimet në aeroportin e Hamburgut janë anuluar. Të dielën në mëngjes, policia ka raportuar se situata e njëjtë po vazhdon.