Një situatë kaotike ka përfshirë seancën plenare të parlamentit këtë të enjte. Deputetët e opozitës kanë përmbysur karriget dhe kanë bllokuar foltoren e Kuvendit.

Në një prononcim në rrjete sociale, nga brenda ambienteve të parlamentit, Berisha njoftoi se deputetët demokratë do të shpallin sot grevë urie.

Ai u kërkoi kolegëve të mazhorancës të largohen, pasi nuk do të lejojnë zhvillimin e një seance normale.

“Tani mund të ikni se ne do vazhdojmë do të shpallim grevën”, tha Berisha.

Nga ana tjetër, Garda e Republikës ka rrethuar godinën, ndërkohë që jashtë ambienteve të parlamentit ka një prezencë të shtuar të policisë në rast të përshkallëzimit të situatës.

Në terren është parë dhe vetë drejtori i Policisë i Tiranës, Tonin Vocaj, duke koordinuar punën e efektivëve.

“Përveç numrit të lartë të gardistëve kemi vënë re dhe një prezencë të shtuar të efektivëve të Policisë së Shtetit

Është vënë re prania e Drejtorit të Policisë së Tiranës në ambientet jashtë ambienteve të parlamentit, duke koordinuar punën e policisë në rast të eskalimit të situatës brenda ambienteve të parlamentit.

Jashtë parlamentit nuk ka qytetarë të grumbulluar, por duket se policia i ka marrë të gjitha masat nëse do të ketë një përshkallëzim të situatës”, bëri me dije gazetari i Euronews Albania, përcjell Dukagjini.