Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në Ferizaj, ku janë sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash të dyshuara si të kontrabanduara.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni u ndërmor më 5 maj, pas pranimit të informatave për një depo të dyshuar, njofton Dukagjini.
Hetimet çuan në identifikimin e një të dyshuari, mashkull kosovar, i cili dyshohet se e kishte shfrytëzuar hapësirën për ruajtjen e mallrave të futura ilegalisht nga Maqedonia e Veriut në Kosova.
“Pas sigurimit të urdhrit verbal të prokurorit kompetent, është kryer kontroll në lokacionin e dyshuar, ku gjatë kontrollit janë sekuestruar mallrat si në vijim: 800.4kg. duhan i përpunuar, 94 kg. mjaltë, 30.4kg. ambalazh i plastikës, 178kg. ambalazh i letrës, një makinë për përpunim të duhanit, një makinë për përpunim të ambalazhit dhe një spërkatëse e ujit për spërkatje të duhanit”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të Policisë, vlera e përafërt e mallrave është rreth 16 mijë e 500 euro ndërsa akciza dhe shmangiet doganore janë rreth 34 mijë euro.
“Lidhur me rastin, pas ndërmarrjes së veprimeve përkatëse policore mallrat e sekuestruara janë proceduar te Dogana e Kosovë për procedura të mëtutjeshme” thuhet në njoftim.
