Policia turke ndalon 47 persona në bastisjet ndaj komunitetit LGBTQ+

Policia në Turqi ka ndaluar 47 persona në një seri bastisjesh në bare të frekuentuara nga homoseksualët dhe në shtëpitë e aktivistëve LGBTQ+, njoftojnë autoritetet.

Bastisjet u zhvilluan në 12 provinca gjatë fundjavës, në kuadër të një fushate të quajtur “Familja ime është e sigurt”, për të cilën qeveria turke thotë se synon mbrojtjen e vlerave familjare, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Një nga objektivat e operacionit ishte edhe organizata LGBTQ+ Kaos GL.

Martesa mes personave të të njëjtit seks nuk njihet në Turqi, ndërsa presioni ndaj çifteve homoseksuale është në rritje. Organizatat për të drejtat e njeriut në Turqi e kanë akuzuar qeverinë se po e përdor këtë fushatë për të shënjestruar komunitetin LGBTQ+.

Sipas Prokurorisë së Stambollit, gjatë bastisjeve janë ndaluar 26 persona, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar drogë, pajisje digjitale, alkool të kontrabanduar dhe një armë zjarri.

Në një deklaratë të veçantë, Prokuroria e Ankarasë tha se 21 persona të tjerë janë ndaluar në kuadër të një hetimi ndaj organizatës Kaos GL.

Organizata tha se janë ndaluar 50 aktivistë, ndërsa më shumë se 10 prej tyre janë marrë pas bastisjeve në shtëpitë e tyre.

Sipas saj, autoritetet kanë bllokuar disa faqe interneti dhe llogari në rrjetet sociale të lidhura me organizatat LGBTQ+.

Kaos GL tha se autoritetet e kanë akuzuar organizatën për publikimin e materialeve “të pahijshme” në internet, të cilat janë të qasshme edhe për fëmijët. Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu mbylljen e llogarisë së Kaos GL në X, si dhe të rreth 15 organizatave të tjera LGBTQ+.

Marrëdhëniet mes personave të të njëjtit seks nuk përbëjnë vepër penale në Turqi, por homofobia është e përhapur. Presidenti Recep Tayyip Erdogan i ka përshkruar personat LGBTQ+ si “perversë” dhe i ka fajësuar ata për rënien e natalitetit.

Në kuadër të fushatës “Familja ime është e sigurt”, ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek, tha se kanë nisur procedura ligjore ndaj më shumë se 160 personave, si dhe ndaj një numri organizatash dhe kompanish në të gjithë vendin.

Gurlek nuk bëri të ditur se sa persona janë marrë në paraburgim, por tha se bastisjet janë zhvilluar në kuadër të fushatës “Dekada e Familjes”.

Ndërkohë, Shoqata Turke për të Drejtat e Njeriut ka thënë se qeveria turke po e përdor këtë fushatë vitet e fundit për të shënjestruar komunitetin LGBTQ+.

“Emri i vërtetë i këtij operacioni nuk është ‘Familja ime është e sigurt’; është diskriminim i udhëhequr nga shteti, politikë e frikës dhe shpërbërje e shoqërisë civile”, tha organizata në X.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika