Policia e Kosovës ka bërë të ditur se policia kufitare ka goditur një rrjet të dyshuar për kontrabandë të kafshëve të imta në Ferizaj, ku janë zbuluar 108 dele, shumica prej të cilave pa numra matrikuli dhe pa dokumentacion për origjinën apo kontrollin veterinar.
Sipas njoftimit të Policisë, njësitet kompetente policore kanë realizuar një operacion të koordinuar në fshatin Rakaj, Ferizaj, ku dyshohej për mbajtje dhe kontrabandim të paligjshëm të kafshëve.
“Me urdhër të prokurorit kujdestar në Ferizaj, në bashkëpunim me njësite relevante policore dhe inspektorit të AUV-it është kryer kontroll në pronën e të dyshuarit L. K. dhe dy lokacione tjera. Gjatë operacionit policor janë hasur gjithsej 108 krerë dele, shumica (100 prej tyre) pa numra matrikuli dhe pa asnjë dokumentacion përcjellës mbi origjinën apo kontrollin veterinar. Në dy lokacionet tjera të kontrolluara në bazë të inspektorit të AUV-it nuk ka gjetur ndonjë shkelje ligjore”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i Shtetit, i cila ka rekomanduar që rasti të iniciohet ‘kundërvajtje doganore’. Rasti i dorëzohet Doganës së Kosovës në Han të Elezit për procedim të mëtutjeshëm.