Politikanët e Greqisë protestojnë në Himarë, Rama: Jam pa fjalë – Ndërhyrje në drejtësinë shqiptare
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas protestave të politikanëve të Greqisë në qytetin e Himarës në Shqipëri kundër arrestimit të ish-kryetarit të komunës së Himarës, i cili është arrestuar për blerje të votave në zgjedhjet lokale në Shqipëri. Sipas Ramës, politikanët e Greqisë po dëshirojnë që këtë rast ta shndërrojnë një proces që […]
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas protestave të politikanëve të Greqisë në qytetin e Himarës në Shqipëri kundër arrestimit të ish-kryetarit të komunës së Himarës, i cili është arrestuar për blerje të votave në zgjedhjet lokale në Shqipëri.
Sipas Ramës, politikanët e Greqisë po dëshirojnë që këtë rast ta shndërrojnë një proces që ka të bëjë me drejtësinë në shkelje të të drejtave të minoriteteve, e cila sipas tij, nuk qëndron.
“Në memorien time nuk ka një rast tjetër kur të zgjedhurit e një shteti demokratik organizojnë protestë në një shtet tjetër demokratik, kundër autoriteteve të këtij shteti. Jo vetëm kaq, po ku ata shfaqen si protestues kundër vendimeve të gjykatave përkatëse të shtetit në të cilin protestojnë, duke e absolutizuar përkatësinë etnike të subjektit të protestës mbi çdo normë juridike, standard ligjor e logjikë demokratike. Kjo është një nga ato situata tipike, kur shprehja ‘Jam pa fjalë!’ është e para që të vjen në mend dhe do të doje të ndaleshe me aq. Por, kjo është edhe një nga ato situata tipike, kur në Ballkan merr jetë ajo shprehja ‘Digjet jorgani për një plesht!’ prandaj edhe duhet folur e bërë çmos, që ky të mos jetë kurrsesi rasti”, ka thënë Rama.
Sa i përket problemeve të pronave te minoriteti grek, Rama tha se pretendimet e Greqisë nuk bazohen në argumente dhe probleme të njëjta kanë edhe shumica shqiptare.
“(Ç’është e vërteta kjo bindje e miqve grekë nuk bazohet në as edhe një fakt konkret, që do të mund të provonte se në Shqipëri ka vërtet një problem specifik të drejtash apo pronash për minoritetin grek, i cili ndryshon nga problemi tërësor i trashëguar i Shqipërisë me pronat e gjithë qytetarëve shqiptarë, çka edhe e kemi trajtuar e do ta trajtojmë vijimisht me respekt, me durim dhe me gjuhën e fakteve me Athinën zyrtare)”, tha Rama.















