Polonia ka nisur forcimin e sigurisë përgjatë kufirit me Ukrainën, pas sulmeve me dronë pranë pikave kufitare që kanë rritur shqetësimet për përhapjen e rrezikut të sigurisë në territorin e NATO-s.
Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, bëri të ditur se infrastruktura e përdorur nga Roja Kufitare do të përforcohet. Sipas tij, pjesëtarë të Regjimentit të 18-të Inxhinierik kanë nisur punën për forcimin e pikave të kontrollit dhe objekteve pranë kufirit me Ukrainën, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Vendimi vjen pas dy sulmeve ruse pranë kufirit polak gjatë fundjavës. Njëri prej tyre goditi një tren në zonë, në kohën kur në të udhëtonte një grup ish-zyrtarësh perëndimorë. Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi sulmet dhe pretendoi se treni transportonte ngarkesë ushtarake.
Zhvillimet kanë shtuar shqetësimet edhe në vende të tjera të NATO-s. Në Lituani, autoritetet ushtarake njoftuan se një dron ishte rrëzuar në hapësirën ajrore të vendit. Pajisja mbante një ngarkesë shpërthyese, e cila u neutralizua nga ekspertët e çaktivizimit të bombave, ndërsa autoritetet nisën hetimet për origjinën e saj.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, tha se droni ishte i një lloji të përdorur nga Rusia dhe se, sipas vlerësimit fillestar, mund të ketë qenë duke synuar Ukrainën, por kishte devijuar nga trajektorja.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi se një avion luftarak italian i NATO-s kishte rrëzuar dronin dhe se ai, sipas vlerësimeve të para, kishte ardhur nga Rusia. Ministria italiane e Mbrojtjes tha se ky ishte incidenti i dytë i tillë që përfshinte avionët e saj luftarakë brenda një muaji.
Ndërkohë, Forcat e Armatosura të Danimarkës raportuan se një helikopter ushtarak danez ishte vënë në shënjestër të një veprimi nga një anije luftarake ruse në ujërat ndërkombëtare. Sipas autoriteteve daneze, anija lëshoi dy flakadanë emergjence ndërsa helikopteri po kryente fotografime rutinë të saj.
Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrii Sybiha, shprehu mbështetje për Danimarkën dhe e cilësoi incidentin si pjesë të përpjekjeve të Moskës për të destabilizuar Evropën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se sulmet pranë territorit të aleancës tregojnë, sipas tij, rritjen e presionit të Rusisë dhe ka bërë thirrje për forcimin e mbrojtjes përgjatë krahut lindor të NATO-s, veçanërisht në kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë.
Në një zhvillim tjetër, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndërmjetësojnë një ndalim reciprok të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë dhe Ukrainës. Presidenti amerikan Donald Trump tha se të dyja palët kishin rënë dakord për ndalimin e sulmeve ndaj objektivave energjetike, por presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Kremlini e përshkruan më pas këtë si një propozim amerikan, dhe jo si një marrëveshje të formalizuar.
Zelensky tha se Ukraina është e gatshme ta mbështesë një hap të tillë nëse ai çon drejt uljes së tensioneve dhe ndalimit të sulmeve ndaj infrastrukturës kritike.
Zhvillimet e fundit vijnë në një periudhë kur incidentet ajrore dhe ushtarake pranë vendeve të NATO-s kanë shtuar vëmendjen ndaj sigurisë në krahun lindor të aleancës.