Polonia: Raketa që ra në territorin tonë është prodhim rus
Zyrtarë nga Polonia kanë deklaruar se raketa që ra në territorin e tyre është e prodhuar nga Rusia. Megjithëse, presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se “mund të mos jenë hedhur nga shteti rus”. Siç raporton AP, shpërthimi, të cilin presidenti ukrainas, Volodymr Zelenskyy, e cilësoi si “një përshkallëzim shumë të rëndësishëm”, bëri që Biden […]





Zyrtarë nga Polonia kanë deklaruar se raketa që ra në territorin e tyre është e prodhuar nga Rusia. Megjithëse, presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se “mund të mos jenë hedhur nga shteti rus”.
Siç raporton AP, shpërthimi, të cilin presidenti ukrainas, Volodymr Zelenskyy, e cilësoi si “një përshkallëzim shumë të rëndësishëm”, bëri që Biden të thërrasë një takim urgjent të liderëve të G7 dhe NATO-s.
Po ashtu, në raportimin e AP-së thuhet se një sulm i qëllimshëm, armiqësor ndaj Polonisë që është anëtare e NATO-s, mund të shkaktojë një reagim ushtarak nga aleanca.
Rusia mohoi çdo përfshirje në shpërthimin në Poloni.
Qeveria polake ka thënë se po heton dhe po rrit nivelin e gatishmërisë ushtarake, ndërsa Biden premtoi mbështetje për hetimin e Polonisë.
Një deklaratë nga Ministria e Jashtme polake identifikoi se arma ishte prodhuar në Rusi.
Presidenti, Andrzej Duda, ka thënë se ishte “me shumë gjasa” i prodhuar nga Rusia, por se origjina e tij ishte ende duke u verifikuar.
“Ne po veprojmë me qetësi”, tha Duda, teksa shtoi se “kjo është një situatë e vështirë”.
Ndryshe, ambasadorët e NATO-s do të takohen të mërkurën me kërkesë të Polonisë në bazë të nenit 4 të aleancës.
Sipas nenit 4 të traktatit themelues të aleancës, anëtarët mund të ngrenë çdo çështje shqetësuese, veçanërisht lidhur me sigurinë e një vendi anëtar.
Hetimet vazhdojnë për rrethanat rreth një shpërthimi në Przewodow, pranë kufirit të Polonisë me Ukrainën që la të vdekur dy persona.




















