Polonia thotë se nuk do ta armatosë më Ukrainën

Polonia ka njoftuar se nuk do ta armatosë më Ukrainën, pasi do të përqendrohet në mbrojtjen e vet

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki

Polonia tha se nuk do ta armatosë më Ukrainën dhe në vend të dërgimit të armëve atje do të përqendrohet në mbrojtjen e vet.

Kjo përplasje në mes të dy aleatëve vjen në një moment kyç të kundërofensivës së Kievit ndaj forcave ruse.

Pasi u rritën mospajtimet lidhur me eksportet e drithërave nga Ukraina, Polonia thirri ambasadorin ukrainas për të protestuar ndaj deklaratave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kombet e Bashkuara.

Lideri ukrainas tha se disa shtete vetëm po pretendojnë se po mbështesin shtetin e tij, që po synon të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia. Varshava i konsideroi ofenduese këto deklarata, shkruan REL.

Polonia ka qenë një prej mbështetësve më të vendosura të Ukrainës pasi Rusia nisi pushtimin në shkurt të vitit 2022. Varshava, po ashtu, është një prej furnizueseve kryesore me armë për Kievin.

Shumica e armatimeve që Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera kanë dërguar në Ukrainë kanë kaluar përmes Polonisë, shtet që gjendet në kufi me Ukrainën.

Polonia, po ashtu, ka pranuar rreth një milion refugjatë ukrainas, të cilët kanë përfituar lloje të ndryshme të ndihmave shtetërore.

Tensionet midis Varshavës dhe Kievit u nxitën pasi Polonia vendosi ndalesë ndaj importeve të drithërave ukrainase, duke synuar që të mbrojë fermerët e saj.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, u pyet të mërkurën nëse shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë Kievin, pavarësisht këtyre mospajtimeve.

“Ne më nuk do të transferojmë armë në Ukrainë, sepse ne tani po armatosim Poloninë me armë më moderne”, tha Morawiecki.

Pushtimi rus i Ukrainës ka mbyllur rrugët e eksporteve në Detin e Zi që ishin përdorur para luftës, duke bërë që Bashkimi Evropian të shndërrohet në një rrugë kyçe për transportin e drithërave ukrainase.

Në maj, BE-ja u pajtua të kufizojë eksportet ukrainase për në Bullgari, Hungari, Poloni, Rumani dhe Sllovaki, me synim që të mbroheshin fermerët e këtyre shteteve të cilët janë ankuar se produktet ukrainase po shiten në tregjet lokale me çmime shumë të ulëta.

Kjo masë lejoi që produktet ukrainase të kalonin transit nëpër këto pesë shtete, por u ndalua që ato të shiteshin në tregjet lokale.

Por, të premten Komisioni Evropian njoftoi se do t’i jepte fund ndalesës, duke argumentuar “se më nuk ka çrregullim në tregjet e pesë shteteve anëtare që gjenden në kufi me Ukrainën”.

Polonia, Hungaria dhe Sllovakia menjëherë njoftuan se do ta sfidojnë këtë vendim.

Çështja e drithërave është veçanërisht e ndjeshme në Poloni, shtet që do të mbajë zgjedhje parlamentare muajin e ardhshëm.

Ukraina është kundërpërgjigjur duke paralajmëruar Poloninë, Hungarinë dhe Sllovakinë se do të dërgojë ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Kryeministri polak, Morawiecki, paralajmëroi se do të zgjerojë listën e produkteve ukrainase të cilat ndalohen të importohen, nëse Kievi përshkallëzon mospajtimet për drithërat.

Kievi e ftoi ambasadorin polak në bisedë dhe kërkoi nga Varshava një qasje “konstruktive” për këtë mospajtim.

Shija e redaktorit

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

ASK: Mbi 1 milion e 420 mijë qytetarë të regjistruar...

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, ka njoftuar se deri më tani janë regjistruar 1 milion e 420 mijë...

Mbi 1 milion qytetarë të regjistruar – këtë javë përfundon...

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot mban konferencë për media për të njoftuar mbi ecurinë e punës në terren për Regjistrimin e Popullsisë,...

Të fundit nga rubrika