Lëvizja Vetëvendosje qendra në Prishtinë po e kosideron zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës si të “panevojshme dhe tendencioze”.

Përmes një njoftimi në Facebook, ata kanë bërë të ditur se do të bojkotojnë këtë seancë.

“Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Prishtinës, njofton opinionin publik se nuk do të marrë pjesë në seancën e radhës të Kuvendit Komunal, të ftuar për të hënën, 4 shtator. Siç jeni në dijeni, për ne është e kontestueshme zgjedhja e kryesuesit të ri dhe rrjedhimisht e kontestojmë edhe ftesën për këtë seancë që vjen nga një autoritet për legjitimitetin e të cilit do të vendosin organet e drejtësisë. Duke ditur faktin se tashmë në Gjykatën Themelore në Prishtinë është inicuar një konflikt administrativ në mes të MAPL-së dhe Komunës së Prishtinës, ndër të tjera edhe për çështjen e kryesuesit, vlerësojme se thirrja dhe organizimi i kësaj mbledhjeje në këtë kohë është i panevojshëm dhe tendencioz”, thuhet në njoftim.

Më tej, ata kërkuan nga partitë në pushtet në kryeqytet të përmbahen nga cfarëdo veprimi në këtë fazë.

“Në një situatë të tillë, me paqartësi juridike, të gjitha vendimet eventuale që merren në këto seanca të parregullta do të jenë objekt i trajtimit të sërishëm nga Kuvendi Komunal. Ndërkohë, të gjitha pasojat juridike që prodhojnë vendimet e tilla do të jenë bazë e mjaftueshme për ndjekje e kallëzime penale. Kërkojmë nga partitë në pushtet në Komunën e Prishtinës, koalicioni LDK-PDK-NISMA-LB, të përmbahen nga çfarëdo vendimi e veprimi në këtë fazë dhe gjithashtu kërkojmë nga Gjykata Themelore në Prishtinë që sa më parë, me prioritet, ta trajtojë çështjen në fjalë.  Kthimi i ligjshmërisë në komunën e Prishtinës është emergjencë dhe domosdoshmëri”, thuhet në njoftim.