Në letër është çdo gjë e qartë, por jo edhe në praktikë. 120 praktikantë që kishin punuar për 6 muaj në ndërmarrjen “Trepça”, nuk i kanë marrë pagat e as shujtat që u parapanë me konkurs.

Dy muaj pas përfundimit të praktikës në këtë ndërmarrje, ata po synojnë që pëmes rrugëve ligjore të kërkojnë të drejtat e tyre.

Ish-praktikantët pritet që të dorëzojnë padi në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

Ish-praktikanti Arsim Musa ka bërë të ditur se para këtij hapi kishin takuar menaxhmentin, por që nuk u arrit ndonjë rezultat.

“I kemi marr pagat për muajin shkurt, mars e prill,  po na kanë mbetur borgjë për tre muajt e tjerë dhe kemi qenë në takim të udhëheqësit por asgjë deri tash, ne jemi duke I mbledhur të holla nga kolegët praktikant dhe do të bëjmë një padi kundër Trepçës për shkelje të të drejtave tona, ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë vetëm të drejtën tonë”, ka theksuar Arsim Musa- ish-praktikant në Trepçë.

Musa, tutje thotë se shumica nga ta kanë lëshuar e mëhershme më shpresë se do të punësoheshin në Trepçë, por që në konkursin e fundit nuk u pranuan, ani pse sipas tij, shumica kaluan testin. Një shpresë të tillë e kishte edhe Eset Deliu.

“Kom prit mu punësua edhe kom prit pasi që e kamë edhe shkollën për të punuar në minierë, prej 2011 kam apliku për punë aty por asnjëherë, tash edhe pagesat e praktikës nuk na I kanë dhënë”, ka deklaruar Eset Deliu- ish-praktikant në Trepçë.

Për paralajmërimin e tyre dhe për atë se kur do të bëhet ekzekutimi i pagave pagave për tre muaj dhe mjetet për shujtat për gjashtë muaj, Dukagjini ka kontaktuar ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Enis Abdurrahmani.

Pjesën më të madhe të ditës së mërkurë, ai ka qenë i paqasshëm, ndërsa kur është përgjigjur ka thënë shkurt se kërkesat e ish-praktikantëve do të realizohen së shpejti.