Presidenca jep detaje nga takimet e Osmanit me kryetarët e komunave arbëreshe

Pamje nga takimi i presidentes Osmani me kryetaren e Provincës së Kozencës dhe kryetarët e komunave arbëreshe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën është takuar me kryetaren e Provincës së Kozencës, Rosaria Succurro.

Siç ka njoftuar Presidenca, gjatë takimit kanë biseduar për raportet ekonomike, politike e kulturore mes komunave të ndryshme të Kosovës dhe Kozencës.

Osmani ka theksuar se është shumë e rëndësishme që të krijohen mundësi të reja të bashkëpunimit mes bizneseve tona, institucioneve kulturore dhe operatorëve turistikë.

Në Kozencë gjenden 21 komuna arbëreshe ku vazhdon të ruhet tradita, kultura dhe tradita kombëtare për pothuajse gjashtë shekuj.

Në Kozencë gjenden thesare shumë të rëndësishme, siç janë dorëshkrimet e rilindësit Jeronim De Rada, të cilat ndodhen në Bibliotekën e Qytetit të Kozencës dhe gjetiu në Kalabri.

“Digjitalizimi i dorëshkrimeve letrare shqipe të shekullit XIX është pasuri e cila duhet t’u ofrohet studiuesve dhe gjeneratave të reja”, ka thënë presidentja Osmani.

Osmani ka zhvilluar një takim edhe me kryetarët e komunave arbëreshe të Provincës së Kozencës.

Pamje nga takimi i presidentes Osmani me kryetaren e Provincës së Kozencës dhe kryetarët e komunave arbëreshe

Presidentja i ka falënderuar ata për përkushtimin e pashoq për kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe, si pjesë e rëndësishme e kulturës dhe identitetit shqiptar.

“Ne duam të punojmë së bashku me ju për identifikimin e mundësive për realizimin e projekteve të përbashkëta për ruajtjen, kultivimin dhe përparimin e mëtejmë të traditave tuaja kulturore e gjuhësore”, ka thënë presidentja.

Presidentja ka rikujtuar rolin e jashtëzakonshëm, të cilin arbëreshët e kanë luajtur përgjatë historisë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor e politik të shqiptarëve.

Më tej, Osmani ka çmuar mënyrën se si arbëreshët kanë krijuar model të vyer për gjithë mërgimtarët se si duke u integruar në jetën e vendit mikpritës, i kanë kultivuar e ruajtur traditat e veta, duke u shndërruar në qytetarë të suksesshëm të vendit, por edhe kontribuues për kulturën e të parëve.

“Ju i keni dhënë kulturës e trungut etnik, por edhe vendit mikpritës, Italisë, ngjyrat e një kulture të veçantë, e cila është pasuri e vendit dhe e kulturës prej nga vini, por edhe e vendit i cili ju mirëpriti”, ka thënë Osmani.

Ndër të tjera, Osmani ka shtruar mundësinë e hartimit dhe të realizimit të projekteve për ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore e traditave kulturore, nëpërmjet regjistrimit e botimit të kujtesës gojore.

“Rënia e ngadaltë e përdorimit te gjuhës shqipe te brezat e rinj dhe zvogëlimi i popullatës për shkak migrimit, është sfidë me të cilën ballafaqohen shumë vende, përfshirë edhe rajonet në të cilat jetojnë arbëreshët. Prandaj duhen politika të qarta promovuese”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka theksuar domosdoshmërinë e shtrirjes së bashkëpunimit, hartimin e itinerareve turistike dhe shkëmbimeve kulturore për ta ruajtur lidhjen me tokën e të parëve.

Gjithashtu, e para e vendit ka çmuar bashkëpunimin e komunave arbëreshe, të cilat tashmë janë binjakëzuar me disa komuna të Kosovës.

Shija e redaktorit

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Të fundit nga rubrika