Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 147-vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Begaj, së bashku me kryetarin Totaj, bëri homazhe pranë monumentit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Kjo vizitë vjen në një ditë me rëndësi historike, meqë më 10 qershor 1878 nisi organizimi dhe themelimi i Lidhjes së Prizrenit, një moment kyç në historinë e lëvizjes kombëtare shqiptare.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë vizitës së Begajt do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.