Presidenti i Iranit, Masoud Pezheskian, ka deklaruar se askush nuk ka të drejtë t’i mohojë Iranit të drejtat e tij bërthamore, duke kritikuar qëndrimet e presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas Agjencisë së Lajmeve të Studentëve Iranianë, Pezheskian ka theksuar se pretendimet e SHBA-së nuk kanë bazë të qartë.
“Trump thotë se Irani nuk mund të ushtrojë të drejtat e tij bërthamore, por nuk shpjegon për çfarë krimi. Kush mund ta privojë një komb nga të drejtat e tij?”, është shprehur ai.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit vazhdojnë, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve rreth programit bërthamor iranian.
Ndërkohë, sipas raportimit të një korrespondenti të Al Jazeera nga Teherani, qytetarët iranianë po përjetojnë ndjenja të përziera. Fillimisht kishte një shpresë, edhe pse e vogël, se negociatat mes Iranit dhe SHBA-së mund të çonin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila do të sillte heqjen e sanksioneve dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Megjithatë, aktualisht mbizotëron një ndjenjë frustrimi dhe pasigurie për të ardhmen. Shqetësimet e qytetarëve lidhen jo vetëm me rrezikun e një konflikti të mundshëm, por edhe me pasigurinë dhe elementin e papritur, madje edhe gjatë periudhës së armëpushimit.