Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të vizitojë nesër Prishtinën, më 14 maj, në kuadër të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Costa do të zhvillojë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Sipas njoftimit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, vizita nis në orën 16:30 me takimin e parë me presidenten Osmani në zyrën e saj, ku mediat do të kenë mundësi të marrin pamje në fillim të takimit.

Më pas, në orën 17:20, është paraparë një konferencë për media me presidenten Osmani në sallën e Kuvendit.

Të gjitha ekipet e mediave dhe kameramanët janë të lutur të arrijnë deri në orën 17:05 për të pasur kohë të mjaftueshme për vendosjen e pajisjeve.

Vizita do të përfundojë me takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në ora 18:40 në zyrën e Kryeministrisë, ku po ashtu do të ketë mundësi për pamje në fillim të takimit.