Presidenti i Polonisë: Vetëm Trump mund ta ndalë Putinin
Donald Trump është i vetmi lider botëror i aftë të ndalë Vladimir Putinin nga kërcënimi ndaj Europës, sipas presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki. Nawrocki u shpreh se liderit rus nuk duhet t’i besohet, por se Evropa duhet të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur presidentin Trump në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund […]
Donald Trump është i vetmi lider botëror i aftë të ndalë Vladimir Putinin nga kërcënimi ndaj Europës, sipas presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki.
Nawrocki u shpreh se liderit rus nuk duhet t’i besohet, por se Evropa duhet të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur presidentin Trump në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Tani, ai thotë se, me Rusinë e Vladimir Putinit që kërcënon Poloninë, si dhe Evropën Qendrore dhe Lindore, presidenti amerikan është i vetmi person që mund, siç u shpreh ai, “ta zgjidhë këtë problem”, si dhe t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Duke iu referuar inkursionit masiv të dronëve rusë shtatorin e kaluar, kur më shumë se 20 mjete ajrore pa pilot hynë në hapësirën ajrore polake nga Bjellorusia dhe Ukraina, Nawrocki e quajti atë një situatë të jashtëzakonshme, duke shtuar se “deri në atë moment, asnjë shtet anëtar i NATO-s nuk kishte përjetuar një sulm me dronë në atë shkallë”. Rusia, tha ai, po testonte mbrojtjen e Polonisë dhe solidaritetin e NATO-s.
Presidenti polak falënderoi gjithashtu Britaninë për dërgimin e avionëve luftarakë “RAF Typhoon” për të ndihmuar në mbrojtjen e kufijve të vendit të tij.
Ai tha se Polonia ka qenë në një gjendje lufte hibride me Rusinë që nga viti 2021, duke u përballur me dronë dhe fushata dezinformimi.
Presidenti u pyet edhe për miqësinë e tij me Donald Trump, veçanërisht në dritën e kërcënimeve të presidentit amerikan për të marrë nën kontroll ‘me çdo mjet’ territorin autonom danez të Grenlandës – një çështje që ka tronditur Evropën dhe rrezikon të çajë aleancën 77-vjeçare të NATO-s.
“Shtetet e Bashkuara, pavarësisht deklaratave të fundit të disa zyrtarëve amerikanë, mbeten garantuesi i sigurisë në Europë. Ajo që Donald Trump po bën në emër të europianëve, e meriton mbështetje dhe respekt të madh”, tha ai.
Ai paralajmëroi se po shihte Europën të “shkëputej” nga SHBA-ja dhe se kjo nuk ishte e mirë as për sigurinë ekonomike, as për atë ushtarake të Bashkimit Europian.
Sipas tij, kjo temë duhet të mbetet një çështje mes kryeministrit danez dhe Presidentit Trump. Karol Nawrocki shprehu bindjen se kjo çështje do të zgjidhet përmes NATO-s dhe dialogut mes Danimarkës dhe SHBA-së.















