Të paktë janë personalitetet që nuk kanë komentuar fillimin e gjykimin të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E në këtë grup hyjnë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri, Albin Kurti.

Heshtjen e kanë vazhduar edhe përkundër se televizioni u është drejtuar me pyetje për këtë çështje.

Por, mungesën e reagimit, nuk po e shohin si pozitive njohësit e rrethanave politike.

“Meqë kjo nuk është gjykatë e zakonshme, meqe rrethanat nuk janë të zakonshme unë mendoj që edhe Presidenca do të duhej ta bënin një reagim. Distancimi apo mosdeklarimi nuk më duket aq i arsyeshëm, megjithatë mbesin ata me vlerësu se pse nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, ka treguar Dibran Hoxha, analist.

Kritikë, Dibran Hoxha tregohet veçanërisht ndaj presidentes Osmani.

“Unë po e shoh që presidentja në raste të vecanta më shumë po mundohet ta imponoj vetën në tema të caktuara se sa që ka ndonjë rol proaktiv në çështje të ndryshme”, ka thënë ai.

Edhe profesori Abit Hoxha, konsideron se për gjykimin që e quan më të rëndësishmin në historinë e Kosovës, do të duhej të kishte reagime nga liderët e vendit.

“Së paku do të duhej të tregohej nëse besojnë në pafajësinë ose jo ose gjithkush është i pafajshëm deri të faktohet fajësia në një linjë diplomatike pra është dashur të ketë një komunikim me popullin e Kosovës sepse është gjykimi më i rëndësishëm në historinë e Kosovës. Nuk po them të ketë reagim për personat konkret që gjenden atje por të kenë komunikim për popullin e Kosovës”, ka deklaruar profesori, Abit Hoxha.

Procesi gjyqësor në Hagë që nga e hëna ka filluar për Hashim Thacin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, ndërsa një ditë më herët, në Prishtinë u mbajt marsh protestues në mbështetje të tyre.

Ftesa  për të, u shpërnda edhe nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca në rrjete sociale, ndërsa është shprehur i bindur se të akuzuarit, do të dalin në të pafajshëm.