Presidentja i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, kërkon edhe masë të përkohshme për afatin
Katër ditë para fundit të afatit 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, të caktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtuese, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se i është drejtuar sërish kësaj gjykate. Presidentja tregoi se deponuar kërkesë me karakter preventiv për sqarimin situatës dhe pasojat juridike në rast të dështimit për konstituim të legjislaturës së re deri […]
Katër ditë para fundit të afatit 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, të caktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtuese, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se i është drejtuar sërish kësaj gjykate.
Presidentja tregoi se deponuar kërkesë me karakter preventiv për sqarimin situatës dhe pasojat juridike në rast të dështimit për konstituim të legjislaturës së re deri të shtunën dhe shtoi se e njëjta mund të tërhiqet nëse konstituimi ndodh.
“Është kërkesë që bëhet për shkak të parandalimit të pasojave të pariparueshme dhe është në përputhje të plotë me nenin 113 të Kushtetutës së Kosovës si dhe me praktikat e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa e dërguar në Kushtetuese nuk e paragjykon epilogun e afatit të mbetur për konstituimin e Kuvendit. Pra, në rast se ka ndonjë sukses brenda pak ditësh në konstituimin e Kuvendit, ne mund ta tërheqim kërkesën. Edhe pse qartësitë që ne i kemi ngritur në këtë kërkesë, ne besojmë janë esenciale jo vetëm për këtë legjislaturë, por edhe ato të ardhshme”, ka thënë Osmani.
Por theksoi se është e nevojshme që të krijohen qartësi edhe për të ardhmen, dhe se gjithashtu për shkak se mund të marr kohë të gjatë nxjerrja e një aktgjykimi të ri, Presidentja ka kërkuar që me masë të përkohshme Gjykata të pezulloj rrjedhjen e afatit që skadon të shtunën.
“Masa e përkohshme, në qoftë se pezullon afatin nënkupton që nuk ka nevojë të mbahen seanca, megjithatë mandati i deputetëve është jo-detyrues. Pra, në qoftë se ata arrijnë marrëveshje politike brenda këtij afati, mund të mblidhen. Ne shpresojmë që së paku pjesa për masën e përkohshme të trajtohet urgjentisht, në mënyrë që të mbetet së paku një ditë ose dy e pashfrytëzuar e këtij afati”, ka shtuar Osmani.
Para konferencës, presidentja priti në takime të ndara të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati, si dhe ambasadorin e Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, me të cilët sipas njoftimeve diskutoi lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Derisa afati kushtetues për konstituim skadon më 26 Korrik, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma janë në diskutime për krijimin e shumicës.
Më 26 Qershor, Gjykata Kushtetuese nxori Aktgjykimin me të cilin caktoi afatin prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.
Në fillim të Korrikut, PDK dhe LDK iu drejtuan sërish Kushtetueses për vazhdimin me skenarin e njëjtë nga kryesuesi i përkohshëm, deputeti i LV-së, Avni Dehari.















