Presidentja kritikohet që s’e tha asnjë fjalë për sulmin ndaj Valon Sylës
Pothuajse të gjithë e dënuan sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla, i cili ndodhi mbrëmjen e së martës. Kryeministri Albin Kurti, partitë opozitare, gazetarë e shoqëri civile, njëzëri kërkuan që të dyshuarit të sillen para drejtësisë. Por, kështu nuk bëri edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deri më tani nuk e tha asnjë […]
Pothuajse të gjithë e dënuan sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla, i cili ndodhi mbrëmjen e së martës.
Kryeministri Albin Kurti, partitë opozitare, gazetarë e shoqëri civile, njëzëri kërkuan që të dyshuarit të sillen para drejtësisë.
Por, kështu nuk bëri edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deri më tani nuk e tha asnjë fjalë për këtë rast.
“Heshtja e turpshme e presidentes, personit kyq të mbrojtjes së kushtetutes e ku fjala e lirë është në bazament. Heshtja e saj më tingëllon si pajtim me dhunën!”, shkroi gazetari dhe analisti politik, Astrit Gashi.
Për mungesën e reagimit, Osmani u kritikua edhe nga gazetari dhe themeluesi i gazetës Nacionale, Berat Buzhale.
“E turpshme heshtja e presidentes Osmani për sulmin e mbrëmshëm ndaj Valon Sylës. Kjo veç e tregon sa e vogël dhe sa hipokrite është ajo. Sa e vogël, sepse garant, edhe pse është presidente, ajo vetmeveti thotë ‘më ka shajtur shumë Valoni, nuk reago’. Hipokrite, sepse ajo shpeshherë vëre ka qenë viktime e mendimit ndryshe”, tha ai.
Për mosreagimin e saj u kritikua edhe nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila po ashtu, kërkoi që shteti të ofrojë dëmshpërblim për qytetarët që japin informacione për sulmuesit.
Reagimin e presidentes e kërkoi edhe juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari.
“Kurti reagoi, bravo. E presidentja?”, shkroi shkurt ajo.
Sipas saj, një ndër rekomandimet kryesore të Këshillit të Evropës është që sulmet ndaj gazetarëve të dënohen shpejt dhe menjëherë, nga njerëzit e pushtetit.
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias ka reaguar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, ku ka thënë se e dënojnë ashpër këtë akt kriminal dhe njëkohësisht u kanë bërë thirrje institucioneve të shtetit të Kosovës që kriminelët t’i sjellin para drejtësisë.















