Presidentja e Kosovës,  Vjosa Osmani i ka pritur sot në një takim policët e Kosovës Beqir Sefa, Rifat Zeka e Shemë Mustafa, të kidnapuar nga Serbia dhe të liruar ditë më parë.

Në njoftimin e presidencës thuhet se “Osmani u ka uruar mirëseardhje policëve dhe në të njëjtën kohë ka falënderuar gjithë Policinë e Kosovës për angazhimin e vazhdueshëm për një mjedis të sigurt dhe të qetë”.

“Policia e Kosovës është institucioni kyç për integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës e njohim përkushtimin dhe sakrificën tuaj, por edhe të të gjitha grave dhe burrave në uniformë policore, të cilët e mbrojnë Republikën në çdo cep”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në njoftim theksohet se “të tre policët kanë falënderuar Presidenten Osmani për pritjen dhe shprehën përkushtimin për vazhdimin e angazhimit të tyre në funksion të sigurimit të një mjedisi paqësor dhe tërësisë territoriale të Kosovës”.