Në vizitën e parë në nivel shtetëror, presidentja Vjosa Osmani është pritur me nderime ushtarake nga homologia zvicerane, Karin Keller-Sutter.

Në Bundesplatz, në Bernë, pas intonimit të himneve dhe nderimit të flamujve shtetëror, dy presidentet u përshëndetën me turmën e mbledhur – kryesisht diasporë kosovare.

Pasi tha se më shumë se 160 mijë njerëz përbëjnë diasporën e Kosovës në Zvicër, të integruar në të gjitha sferat, Keller-Sutter mbështeti ambiciet e Kosovës për integrime evropiane.

Karin Keller-Sutter, Presidente e Zvicrës
“Zvicra qëndron me vondosmëri prapa ligjit ndërkombëtar dhe integritetit territorial të të gjitha shteteve, qoftë Ukrainës apo Kosovës. Vendi im mbetet i përkushtuar palëkundur ndaj paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor… Zvicra gëzon bashkëpunim të thellë dhe të qëndrueshëm më SHBA-në. Për Kosovën, SHBA-ja është një nga aleatët më të afërt. Ka dhënë mbështetje të domosdoshme në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare”, deklaroi Karin Keller-Sutter, Presidente e Zvicrës.

Teksa vizitën e parë shtetërore e quajti historike, presidentja Osmani shprehu falënderime ndaj Zvicrës që, siç tha, “u bë strehë për popullin e Kosovës, në orët më të errëta të historisë”.


“Një nga bekimet më të mëdha të Kosovës në historinë e saj ka qenë pikërisht fakti që ka pasur partnerë dhe miq pranë vetes. Nga Zvicra dhe shumë të tjerë në Evropë, e deri në Shtetet e Bashkuara – ju keni qëndruar me ne në çdo hap, në çdo sfidë. Dhe mirënjohja e popullit të Kosovës do të mbetet gjithmonë e palëkundur”, deklaroi Presidentja Osmani

Përtej thellimit të bashkëpunimit dhe thirrjes për investime nga diaspora, në konferencën pas takimit dypalësh, presidentja Osmani u pyet edhe për bllokadën politike në Kosovë.


“Si presidente jam e shqetësuar për këto vonesa, sepse barrën e këtyre vonesave e paguajnë qytetarët e Kosovës. Me moskonstituimin e Kuvendit ne nuk arrijmë të kemi një Kuvend funksional, ku mund të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare – përfshi ato që lidhen me planin e ri të rritjes të BE-së dhe ka edhe dëme të shumta që i mbajmë barrë si qytetarë për shkak të mungesës së kuvendit, deklaroi Osmani

Pasi tha se duhet të kujdesemi që vatrat e krizës të mos ndizen sërish, presidentja zvicerane, foli për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.


“Nuk është çështje e jona, faktikisht është çështje e brendshme e shteteve anëtare, janë shtete që marrin vendime sovrane, mirëpo unë mendoj se ky zhvillim e mbështetë edhe stabilitetin në rajon”, deklaroi Keller-Sutter

Paraprakisht, në nisje të vizitës, dy presidentet bashkë me delegacionet përkatëse qëndruan në kështjellën rezidenciale Lohn Manor.

Në mbrëmje, në kuadër të vizitës shtetërore, do të mbahet një banket i mbyllur, në të cilin jo-zyrtarisht televizioni mësoi se krahas afaristëve kosovaro-zviceranë, përfaqësuesve shqiptarë në nivele të ndryshme institucionale në Zvicër, pritet të marrë pjesë edhe futbollisti shqiptar Xherdan Shaqiri.

Në ditën e dytë të vizitës shtetërore, presidentja Osmani do të vizitojë St. Gallenin, e më pas Gjenevën – ku pasditen e vonë do të takohet me diasporën kosovare.