Me t’u kthyer nga vizitat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Letoni, presidentja Vjosa Osmani përforcoi deklaratat e saj për kërcënimet, si dhe synimet e veprimet përshkallëzuese dhe destabilizuese të Serbisë.

Përtej deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, presidentja tregoi se kishte informacione konkrete nga institucionet vendore të sigurisë – për të cilat tha se kishte folur edhe ministri në detyrë i mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë që më raportojnë si presidente dhe jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë të ketë mobilizimin e duhur për mbrojtjen e vendit. Menjëherë këto informata i kam ndarë me aleatët tanë të sigurisë, duke kërkuar mbështetjen e tyre për të ndalur përshkallëzimin e planifikuar nga ana e Serbisë”, ka thënë Osmani.

Megjithatë, ajo tha se institucionet janë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, dhe se nuk ka hapësirë për shqetësim e panik.

Teksa foli lidhur reagimet nga Richard Grenell, ajo lexoi edhe disa prej citateve nga deklaratat e Trumpit, të cilat i referohen rreziqeve javëve të fundit.

“Unë po lexoj transkriptin e deklaratave. Kur jam përgjigjur në pyetje në këto deklarata, kam thënë se mënyra sesi e kuptojmë ne. Nuk kam interpretuar deklaratat e presidentit Trump, por është mënyra sesi kam kuptuar unë. Ne e vlerësojmë rolin e presidentit Trump si paqe bërës dhe si njeri që punon ditë e natë për paqe. E tërë deklarata ime ka qenë në drejtim të vlerësimit të tij dhe udhëheqjes së tij”, ka shtuar Osmani.

Lidhur me vazhdimin e dështimeve për konstituim të Kuvendit, presidentja tha se tejkalimi i afatit 30 ditësh prodhon pasoja juridike, teksa theksoi se edhe për shpalljen e zgjedhjeve duhet përmbushur disa kushte ligjore që varen nga vullneti i partive politike.

“Unë tashmë i kam takuar liderët politikë, me disa prej tyre jam në komunikim të vazhdueshëm. Ne vazhdojmë takimet, megjithatë nuk është roli i asnjë presidenti që të negociojë koalicione, ta kemi të qartë e kam të ndaluar me Kushtetutë. Në të njëjtën kohë dua të qartësoj se Kushtetuta nuk lejon në këtë fazë shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje”, ka thënë Osmani.

Presidentja njoftoi se nëse deri në fund të javës nuk ka zgjidhje për formimin e institucioneve të reja, në fillim të javës së ardhshme do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Ajo nuk komentoi aktgjykimin e Gjykatës Supreme, pavarësisht se tha që ka një opinion për të, duke shtuar se deputetët mund t’i adresohen Kushtetueses, si instanca më e lartë, për të sqaruar çështjen e funksioneve të dyfishta.