Në kuadër të përpjekjeve për zhbllokim, presidentja Vjosa Osmani takoi ndaras të mërkurën krerët e katër partive më të mëdha shqiptare në Kuvendin e Kosovës.

I pari në zyrën e presidentes shkoi kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Pa dhënë detaje për propozime konkrete, Kurti foli për kufizimin kohor prej 30 ditësh për konstituim të legjislaturës së re, teksa përmendi edhe konsensusin dhe kompromisin.

“Afatet po rrjedhin. Në javën e fundit të korrikut duhet që ta konstituojmë legjislaturën e nëntë. Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me konsultime të dendura dhe konstruktive dhe gjithashtu me idenë e konsensusit apo kompromisit ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re që i përgjigjet kuvendit të ri të Republikës”, ka thënë Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Teksa njoftoi se PDK-ja e ka përgatitur një lëndë të re për adresim në Gjykatën Kushtetuese, Memli Krasniqi tha partia që ai e udhëheq është e gatshme për rol në gjetjen e një zgjidhjeje – veçmas pasi, sipas tij, aktgjykimi i ka qartësuar rolet.

“Ftesa jonë vazhdon të jetë e njëjta – që të kthehemi te pika e rendit të ditës që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, të votohet në mënyrë të hapur dhe të sillet një propozim i një kandidati apo kandidateje që mund ta marrë shumicën e nevojshme për ta konstituuar Kuvendin”, ka thënë Memli Krasniqi, Kryetar i PDK-së.

Pasi tha se aktgjykimi e ka qartësuar përgjegjësinë e partisë së parë për sigurimin e shumicës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se ajo duhet të kërkoj zgjidhje me partitë që ia kanë ofruar këtë mundësi – duke rikonfirmuar se LDK-ja nuk përfshihet në variante tjera, përveç në propozimin për Qeverinë kalimtare të unitetit.

“Tani duhet të zbatojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përndryshe bëjmë shkelje të rënda ligjore. Dhe natyrisht LDK do t’i drejtohet edhe Kushtetueses në mënyre që ajo të qartësojë aktin e tanishëm. Pas aktgjykimit për bindjen tonë ka ndodhur një përmbysje e rendit kushtetues sepse partia e parë ka refuzuar të respektojë Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, teksa shprehu shqetësimin për situatën, foli për mundësinë që në rast tejkalimi të afatit 30 ditësh të digjen mandatet e deputetëve, si pasojë e dështimit për konstituimin e Kuvendit.

“Në bazë të ligjit kombëtar në këtë rast, por edhe ndërkombëtar, kur një gjykatë e mbyllë një afat kohor, nuk ka lënë një mënyrë tjetër me e ri-hapë. Pra, definitivisht, unë mendoj se kjo ka ndodhë. Pra, 30 ditëshi e ka mbyllë. E drejta jonë me u konstitua është 30 ditë. Kaluan 30 ditë ne nuk e kemi më këtë të drejtë. Ky parlament, kjo legjislaturë, këta deputetë nuk e kanë më këtë të drejtë”, ka thënë Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së.

Derisa mëngjesin e së enjtes vazhdon seanca konstituive e nisur më 15 Prill, për të dytën ditë presidentja do të vijojë takimet e ndara me krerët e partive nga komunitetet jo-shumicë.