”Presin për votim” – Skandali energjetik, Zariqi: Kërkesa për garancionin bankar erdhi pa paralajmërim
Nebih Zariqi, ish-anëtar i Bordit të ZRRE-së, në një lidhje direkte në emisionin Debat Plus, ku është shpërfaqur skandali energjetik, ka folur lidhur me këtë çështje. “Kam votuar kundër për shkak të asaj që edhe ju e thatë – jo profesionalizmit në përgatitjen e dosjes… dhe mungesës së transparencës. Merreni me mend se vetëm më […]
Nebih Zariqi, ish-anëtar i Bordit të ZRRE-së, në një lidhje direkte në emisionin Debat Plus, ku është shpërfaqur skandali energjetik, ka folur lidhur me këtë çështje.
“Kam votuar kundër për shkak të asaj që edhe ju e thatë – jo profesionalizmit në përgatitjen e dosjes… dhe mungesës së transparencës. Merreni me mend se vetëm më 28 maj të vitit 2024 sa shkresa na kanë ardhur në drejtim të Bordit, me qëllim që ne të votojmë këtë marrëveshje, gjegjësisht të votojmë garancionin bankar,” ka thënë ai.
Ai është pyetur se nga kush kanë ardhur ato shkresa në drejtim të Bordit.
“Pothuajse nga të gjitha ministritë relevante – Ministria e Financave, e Ekonomisë…,” ka thënë Zariqi, duke shtuar se kanë pasur edhe presione të tjera.
“Por edhe nga sektorë të tjerë, të cilët nuk kanë pasur lidhje me atë, vetëm për të bërë presion të madh,” është shprehur ai.
Tutje, ai ka thënë se si Bord janë takuar për çështje shumë më të vogla, ndërsa për këtë nuk janë takuar asnjëherë.
“Ne më herët, për shumë çështje edhe më pak të ndjeshme, jemi takuar shpesh. Por për këtë çështje, që është tejet vitale, me rëndësi të madhe për Kosovën, nuk jemi takuar asnjëherë dhe nuk është kërkuar asnjë mendim. Por, ashtu rrafsh janë sjellë ato kërkesa… Aksenti kryesor i yni ka qenë pse nuk është konsultuar Kuvendi i Kosovës dhe Komisioni për Ekonomi, Tregti dhe Industri, sepse ne i raportojmë komisionit…,” ka thënë ai.
Zariqi tutje ka thënë se për çështjen e Alpeksit kishin kërkuar mendim nga Kuvendi dhe ishin konsultuar, por për çështjen në fjalë, jo.
“Në këtë rast nuk është kërkuar dhe ne, në diskutimet tona që i kemi pasur në Bord, në atë mbledhje, kemi insistuar fort, fuqishëm pse nuk është dërguar. Për një kërkesë të tillë në maj [2024] jemi njoftuar kah fundi,” derisa shkresa ishte te kryeshefi më 11 tetor 2023, gjë që sipas Zariqit, “asnjëherë nuk e ka njoftuar Evetar Zeqiri.”















