Presione mbi Suedinë që të merret me aplikimin e Kosovës në BE

Injorimi i aplikimit të Kosovës do të dëmtonte kredibilitetin e BE-së

Më 15 dhjetor 2022, Kosova dorëzoi zyrtarisht aplikimin për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Vendi ka kohë që synon t’u bashkohet organizatave perëndimore, megjithatë agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, i cili ripërtëriu procesin e zgjerimit të BE-së për vendet si Bosnjë e Hercegovina, Moldavia dhe Ukraina, e shtyu Kosovën të përshpejtojë procesin e aplikimit.

Derisa vendet e tjera në Evropë, si Gjeorgjia, aplikuan zyrtarisht për anëtarësim në BE dhe iu dha statusi i kandidatit potencial, Kosova e gjeti veten si shteti i vetëm në Evropë që kishte shprehur më parë aspiratat për anëtarësim në familjen evropiane, por ende nuk kishte paraqitur një kërkesë zyrtare.

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE ka shkaktuar konfuzion në Bruksel.

Normalisht, kur një vend aplikon për anëtarësim, Këshilli Evropian ia dërgon kërkesën Komisionit Evropian, dhe procesi mund të zgjasë disa vjet.

Megjithatë, kjo është hera e parë që një shtet që nuk njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim, duke e bërë atë një situatë ligjore unike, së cilës BE-ja duhet t’i japë drejtim.

Kosova jo vetëm që nuk njihet si shtet nga pesë vendet anëtare të BE-së – Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – por as BE-ja si një organizatë ndërkombëtare, zyrtarisht nuk e njeh Kosovën si shtet sovran.

BE-ja vazhdon t’i referohet Kosovës me një fusnotë sipër emrit të saj – ku në përshkrim jepen hollësi për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetëson BE-ja. Në të thuhet: Ky simbol nuk paragjykon statusin dhe është në linjë me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, si dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë.

Më 11 janar, ambasadorët e BE-së në Bruksel u njoftuan zyrtarisht për aplikimin e Kosovës nga ambasadori i Suedisë, shtet i cili kryeson presidencën aktuale të Këshillit Evropian. Diskutimi ishte i shkurtër, ku ambasadori suedez informoi kolegët e tij, se të gjitha shtetet anëtare do të konsultohen në dy javët e ardhshme dhe se do të ketë një diskutim më të gjerë në fund të muajit për të vendosur potencialisht se si do të veprohet.

Tashmë është e qartë se ecja përpara me aplikimin e Kosovës do të jetë e vështirë, jo vetëm për arsyen se pesë vendet anëtare jonjohëse të BE-së ka të ngjarë të hezitojnë që të ndryshojnë qëndrimin e tyre, por edhe sepse Hungaria kohët e fundit ka shprehur kundërshtim ndaj çdo lëvizjeje që sugjeron anëtarësimin e ardhshëm në BE për Kosovën. Ajo ka deklaruar se kjo mund të dëmtojë shanset që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje.

Serbia dhe Kosova janë angazhuar në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.

Ka presion që Suedia gjatë Presidencës së saj aktuale të Këshillit Evropian që përfundon më 1 korrik, të ndërmarrë veprime për aplikimin e Kosovës.

Kjo për faktin se Spanja, një mosnjohëse e zëshme e pavarësisë së Kosovës, do të jetë vendi i radhës që do të marrë presidencën e BE-së dhe nuk ka gjasa që Madridi zyrtar ta trajtojë këtë çështje, pasi ka sfidat e veta të brendshme me separatistët e Katalonjës. [Spanja është një shtet sovran, ndërsa Katalonja është komuniteti i saj autonom. Barcelona është kryeqyteti i Katalonjës, ndërsa Madridi është kryeqyteti i Spanjës].

Për më tepër, ekziston rreziku që kjo çështje të shtyhet mënjanë në të ardhmen, pasi në vitin 2024, BE-ja do të jetë e preokupuar me zgjedhjet e Parlamentit Evropian, si dhe me zgjedhjen e presidentëve të rinj për Këshillin Evropian dhe Komisionin Evropian.

Injorimi i aplikimit të Kosovës do të dëmtonte kredibilitetin e BE-së.

Zgjidhja mund të arrihet përmes Votimit të Kualifikuar të Shumicës (QMV) në Këshillin Evropian, i cili kërkon që vetëm 55 për qind e shteteve anëtare (që përfaqësojnë të paktën 65 për qind të popullsisë totale të BE-së) të votojnë pro, në mënyrë që një mocion të miratohet – kështu që kërkesa e Kosovës mund të kalojë.

Megjithatë, ka rezistencë ndaj përdorimit të QMV-së, dhe tradicionalisht, diplomacia e BE-së preferon arritjen e një konsensusi midis 27 shteteve anëtare.

Një zgjidhje eventuale mund të gjendet në aspektin kuptimor, veçanërisht në dallimin midis “unanimitetit” dhe “konsensusit”.

Unanimiteti kërkon marrëveshje aktive nga të gjitha shtetet anëtare, ndërsa konsensusi do të thotë të mos ketë kundërshtim.

Kjo qasje do t’u mundësonte vendeve si Spanja të pajtohen, pa e miratuar publikisht pikëpamjen se Kosova është një shtet sovran.

Përveç kësaj, nëse Serbia dhe Kosova arrijnë një lloj marrëveshje këtë pranverë, kjo mund ta ndihmojë shumë situatën.

Një projekt-propozim është tashmë në tavolinë, dhe nëse nuk çon në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, mund të përfshijë njohjen reciproke të simboleve kombëtare si pasaportat.

Një gjë e tillë, do të mund t’i pushonte shqetësimet e shteteve anëtare që nuk e njohin Kosovën.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika