Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës është bërë e ditur se në fshatin Mazgit të Obiliqit është arrestuar një person i dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe prezantim të rremë si person zyrtar.

Sipas policisë, i dyshuari mashkull kosovar është ndaluar nga njësitet policore derisa po drejtonte një veturë me targa vendore.

Gjatë kontrollit, atij i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me tetë fishekë.

Policia thekson se i dyshuari është prezantuar si pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), mirëpo pas verifikimit është konfirmuar se ai nuk është pjesë e FSK-së.

I dyshuari është intervistuar dhe, me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt. Rasti po hetohet.