Është paraqitur draft-statuti mbi formimin e Asociacioit të Komunave me shumicë serbe në takimin në mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, AleksandWr Vuçiq, në Bruksel.

Miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit ishte pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë Kurti dhe Vuçiq në Bruksel. Ndërkaq, pika e dytë ka të bëjë me procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ekipi Menaxhues – i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë – paraqiti draft-statutin për formimin e këtij asociacioni.

Danijella Vujiçiq, nga ky ekip, tha se hartimi i draftit ka zgjatur katër muaj – nga prilli 2018 deri në gusht 2018.

“Sot, pas pesë vjetësh, patëm rastin ta prezantojmë draftin e përfunduar në vitin 2018”, u tha Vujiçiq gazetarëve.

Bisedimet për këtë dokument janë duke vazhduar në Bruksel.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më herët se një draft i statutit të Asociacionit do të duhej të prezantohej nga ana e Kosovës, sepse “ne nuk guxojmë të lejojmë që drafti i të ashtuquajturit ekip menaxhues, që në realitet është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e negociatave”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë raporton Radio Evropa e Lirë.

Kjo, njëherësh, ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Nga BE-ja thanë më herët se presin që palët “ta miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si pikë e parë e rendit të ditës”, dhe që kjo të pasohet me “paraqitjen dhe diskutimet për draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” në Kosovë.

Takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell dhe të dërguarit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak ka filluar pak pas orës 18:00. /REL