Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kanë hapur Panairin e Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale “Prishtina 2023”. Kjo hapje e panairit u bë gjatë ditës së djeshme me 26 tetor dhe do të zgjasë tre ditë.

“Turrshi, speca, lakra, domate, ajvar, mjaltë, tlyn bullice, pestil dhe lang” janë disa nga produktet që Mihane Shala, nga komuna e Fushë Kosovës i ofron për shitje të produkteve vendore në Panairin e Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale “Prishtina 2023”.

Një prodhuese tjetër vendore, nga Slovia e Lipjanit është e kënaqur me shitjet e produkteve që ajo I ka sjellur tek Panairi i Prodhimeve vendore.

“Patate, sallata e domateve, molla, çajra të ndryshëm”, janë disa nga produktet që ajo I ka në tezgën e shitjes.

Sanie Hyseni nga Prishtina, merret me artizanate, të dorës së dytë dhe ofron produkte nga periudha më antike,përafërsisht 50 vite më parë.

Një qytetar i vjetër nga Prishtina, Fetah Krasniqi merret me hobi, me peshq dhe pikturë me motive kombëtare dhe shqiptare, në materialin mediapan.

Krasniqi ka rrëfyer se me peshqi merret afro nëntë vite dhe tek Panairi I produkteve bujqësore dhe ka në shitje afro 60-70 peshq, ku shumicën i kultivon vetë.

Ndryshe, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka theksuar se ky panair ka rëndësi jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin, meqë sipas tij ka relevancë ekonomike, strategjike dhe sociale, kështu duke përmirësuar imazhin e Kosovës.

Ai tha se ky panair do ta shndërrojë Prishtinën në një qytet të rajonit, derisa u shpreh i lumtur për bashkëpunimin me komunën e Prishtinës dhe USAID-in, për të mundësuar një organizim të tillë.

Nënkryetari i kryeqytetit, Alban Zogaj u shpreh se ky panair do të sjellë atmosferë në Prishtinë, derisa shtoi se i njëjti do të jetë ‘një shesh i talentit tonë të krijimit dhe pasionit të prodhimeve vendore’.

Zogaj e quajti të shkëlqyeshme këtë mundësi të promovimit dhe nderimit të produkteve vendore, duke shtuar se këtu bëhen bashkë tradita dhe inovacioni./KP

Ai u bëri thirrje qytetarëve ta vizitojnë panairin duke potencuar se “çdo blerje e prodhimit vendor është fuqizim i ekonomisë vendore”.