Prishtina lëshon pëllumbat e bardhë në shenjë solidarizimi me Ukrainën

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur sot një seancë solemne me rastin e njëvjetorit të luftës në Ukrainë. Më pas, janë lëshuar pëllumba të bardhë në qiell për t'u solidarizuar me Ukrainën

Ilustrim

Kuvendi Komunal i Prishtinës, të premten ka mbajtur seancë solemne në shenjë solidarizimi me popullin ukrainas, e cila nisi me një minutë heshtje.

Një seancë e tillë vjen në shenjë të njëvjetorit të agresionit rus në Ukrainë.

Seanca solemne e Kuvendit Komunal të Prishtinës në shenjë solidarizimi me popullin ukrainas (Foto: Doruntina Bylykbashi)

Në këtë seancë janë lëshuar në qiell pëllumba të bardhë nga një grup fëmijësh, përmes të cilëve, synohet të jepet mesazh për paqe.

Të pranishëm në këtë seancë solemne ishin ambasadorë të vendeve aleate të Kosovës dhe gazetarët ukrainas që janë të strehuar në Kosovë.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se po ndëshkohet një popull paqësor veç se dëshiron të ndjek rrugën properëndimore. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbështesë deri në fund luftën e drejtë të Ukrainës. Rama tha se lufta në Ukrainë nuk është vetëm tragjedi për popullin ukrainas, por njollë e errët në ndërgjegjen e gjithë njerëzimit.

“Populli i Kosovës evokon kujtime të ngjashme kur sheh skena të tilla, populli i Kosovës e ka kujtesën e freskët të ushtrimit të dhunës nga agresioni serb nga lufta e fundit, prandaj ne bashkëndjejmë me popullin ukrainas. Ne besojmë që ky brutalitet i Rusisë do të ndëshkohet dhe të shtypet në Ukrainë se Rusisë do t’i duhet të largohet e koritur prej tokës ukrainase, prej tokës që padrejtësisht po e pushton, besojmë që Ukraina do të fitojë e mbrojtësit e Ukrainës do të ngadhënjejnë, besojmë që ky gjak i derdhur dhe ky flijim i tmerrshëm që po paguhet prej kombit ukrainas, ka me i dhënë frytet e një fitoreje të madhërishme. Le të bashkohemi në besimin tonë që fitorja mbi agresionin të vijë pa pasur nevojë për ta përjetuar edhe një tjetër përvjetor“, u shpreh Rama.

Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa duhet. Ai u shpreh se shteti i Kosovës është rreshtuar karshi BE-së dhe SHBA-së kundër pushtimit rus.

Hovenier u shpreh se nga janari i vitit të kaluar, SHBA ka investuar më se 30 miliardë dollarë në asistentë për çështje të sigurisë për popullin ukrainas.

“Si përfaqësues i SHBA-së në Kosovë jam krenar për lidershipin që presidenti Biden ka treguar për të siguruar që SHBA i prin përpjekjeve globale për të mbështetur Ukrainën, përderisa ajo mbron popullin dhe territorin e saj. Putini ka menduar se NATO do të thyhet dhe të qajë, në vend të kësaj, NATO është më e bashkuar dhe më unike dhe më bashkë se kurrë më përpara. Populli i Kosovës është pjesë integrale e këtij reagimi të unifikuar nga kombet demokratike, ju keni ofruar strehim ukrainasve që ikin nga lufta, i keni strehuar gazetarët ukrainas që të mund të vazhdojnë punën e tyre në liri dhe siguri keni qëndruar përkrah nesh dhe BE-së në vendosje të sanksioneve si dhe ju keni dhënë krejt çka mundeni për të demonstruar saktësisht se ku qëndron Kosova, si dhe për të demonstruar saktësisht me kë qëndroni ju”, tha ai.

Në anën tjetër, edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, shprehi mbështetjen e shtetit të tij për t’i dalë në mbrojtje qytetarëve ukrainas.

Në sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës ku po mbahej seanca solemne në shenjë solidarizimi me popullin ukrainas,  ishin edhe gazetarët ukrainas që janë të strehuar në Kosovë.

Gazetarja ukrainase e cila po qëndron në Kosovë, Lyudmila Makey, falënderoi shtetin e Kosovë që i strehoi në një periudhë të vështirë.

“Fatkeqësisht jeta paqësore ukrainase është shkatërruar më 24 shkurt të vitit të kaluar kur Rusia filloi pushtimin….Gjatë kësaj kohe, liderët e shteteve evropiane filluan të kuptojnë rrezikun që paraqet rreth botës regjimi kriminal i Putinit. Ata e kuptuan se ukrainasit mbrojnë jo vetëm tokën e tyre, por edhe vlerat demokratike të vendeve të tjera. Prandaj, bota filloi të bashkohet dhe të mbështesë Ukrainën në luftën e saj të drejtë për të jetuar…Kosova na strehoi në një epokë të vështirë. Prishtina u bë shtëpia jonë e dytë dhe na dha mundësi të qëndrojmë dhe t’i tregojmë botës të vërtetën për luftën në Ukrainë. Unë ndihem mirë dhe qetë“, theksoi ajo, shkruan KP.

I pranishëm aty ka qenë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szuynog, i cili ishte mysafir i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Ata në shenjë solidarizimi me ukrainasit dhe duke shfaqur simbolin e paqes, i kanë lëshuar pëllumbat në qiell.

“Falënderoj Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe kryebashkiakun Përparim Rama për shfaqjen e solidaritetit me popullin e Ukrainës”, është shprehur Szuynog.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szuynog

“Tani, më shumë se kurrë, BE-ja dhe Kosova duhet të qëndrojnë me Ukrainën dhe ta ndihmojnë që t’ia dalë”, ka vijuar më tej ai.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës në shenjë solidarizimin me popullin ukrainas ka vendosur flamujt e Ukrainës në sheshet e kryeqytetit, si dhe u ka dhënë ngjyrat verdhë dhe kaltër vendkalimeve dhe rrethojave në Prishtinë.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika