Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar sot për dëgjim publik dokumentin “Strategjia e Prishtinës për Artin dhe Kulturën 2026–2031”, SI një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit afatgjatë dhe gjithëpërfshirës të jetës kulturore në kryeqytet.

Sibel Halimi, Drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës në një postim në “Facebook” ka shkruar se “Kjo strategji është rezultat i një pune të gjatë, gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrje të gjerë të komunitetit artistik. Mbi 300 përfaqësues të skenës së pavarur, institucioneve publike dhe shoqërisë civile kanë kontribuar në këtë proces, i cili është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Kulturës dhe me mbështetjen profesionale të ekspertëve nga Instituti IETL”.

“Kjo strategji është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës, që ka angazhuar mbi 300 përfaqësues të komunitetit të artit dhe skenës së pavarur, institucioneve publike dhe shoqërisë civile. Ky proces, në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës, ka përfshirë edhe ekspertë të angazhuar nga Instituti IETL, të cilët kanë sjellë përvojë të çmuar në hartimin e politikave kulturore dhe zhvillimin e industrive kreative. Dokumenti përcakton një vizion të qartë dhe afatgjatë për zhvillimin e artit dhe kulturës në kryeqytet, duke vënë në qendër krijimtarinë, përfshirjen dhe qëndrueshmërinë kulturore. Falënderoj anëtarët e Kuvendit Komunal për mbështetjen e tyre dhe ftoj të gjithë artdashësit, profesionistët e fushës dhe qytetarët e interesuar që të japin komentet dhe sugjerimet e tyre gjatë periudhës së dëgjimit publik.
Zëri juaj është thelbësor për një strategji që reflekton nevojat dhe aspiratat e komunitetit tonë kulturor”, ka shkruar Halimi.

.