“Prishtina Parking” – Gjykata rrëzon gjobat dhe bllokimet e veturave!

Me një aktgjykim të formës së prerë, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka vendosur të
shfuqizojë disa dispozita të Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të
Komunës së Prishtinës, duke konstatuar se ato janë në kundërshtim me Kushtetutën, me ligjet në
fuqi dhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Aktgjykimi i lëshuar në prill të këtij viti erdhi pas padisë së parashtruar nga organizata
joqeveritare “Qendra për Raste Gjyqësore” ndaj ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”.
Dispozitat e kontestuara përfshijnë, ndër të tjera, mundësinë e bllokimit të veturës pas 10
minutave nga momenti i parkimit, vendosjen e tarifave vetëm përmes telefonit, si dhe
penalizimet në të ashtuquajturat “vendparkime ilegale”. Sipas Gjykatës, këto dispozita shkelin
parimet e proporcionalitetit, mosdiskriminimit, sigurisë juridike dhe të drejtës për pronë,
privatësi dhe lëvizje të lirë, të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të
Drejtat e Njeriut.

Në vendim, Gjykata Supreme ka theksuar se “Prishtina Parking”, si ndërmarrje publike
komunale, ka vepruar përtej mandatit të saj ligjor dhe statutor, duke ndërmarrë veprime që janë
kompetencë ekskluzive e organeve të rendit publik dhe autoriteteve inspektuese. Këto veprime
përfshijnë bllokimin, gjobitjen dhe bartjen e automjeteve pa ndonjë vendim ligjor të një organi
kompetent, siç janë Policia e Kosovës apo inspektorati komunal.
“Asnjë ndërmarrje publike nuk ka të drejtë të kufizojë lirinë e lëvizjes ose të ndërhyjë në pronën
private të qytetarëve në mungesë të një baze ligjore të qartë dhe të një procedure të rregullt
administrative”, thuhet në aktgjykim.

Pas këtij vendimi të formës së prerë, ndërmarrja “Prishtina Parking” nuk ka më të drejtë ligjore
të bllokojë vetura, të vendosë gjoba apo të urdhërojë bartjen e automjeteve. Të gjitha veprimet
ndëshkuese të ndërmarra në të kaluarën në mungesë të një akti administrativ individual dhe të
ankimueshëm mund të konsiderohen të paligjshme dhe të hapin rrugë për kompensime ligjore.
Komuna e Prishtinës obligohet të rishqyrtojë rregulloren ekzistuese, të ndalojë veprimet arbitrare
dhe të sigurojë zbatim të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare, për të mbrojtur të drejtat
dhe liritë e qytetarëve.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” me “Pearson” mbajtën trajnim për qindra mësimdhënës të Gjuhës...

Shtëpia botuese “Dukagjini” në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Pearson” mbajti të shtunën trajnim njëditor në Prishtinë, për qindra mësimdhënës të gjuhës angleze me temën...

Promovohet libri “Libri im i kujtimeve” nga autori Rafet Rudi

“Libri im i Kujtimeve” ka titullin libri më i ri i autorit Rafet Rudi, të cilin ai e promovoi në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”.Në...

Osmani nis vizitën e parë shtetërore në Zvicër: Po shkruajmë...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur vizitën e saj të parë shtetërore në Zvicër, e cila po zhvillohet në rezidencën zyrtare...

Të fundit nga rubrika