Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se nga shtatori i këtij viti do të fillojë faza e dytë e zbatimit të mësimit tërëditor në kryeqytet, si pjesë e reformës më të madhe në sistemin arsimor komunal.
Sipas njoftimit të publikuar nga Rama, këtë vit mësimi tërëditor do të shtrihet në gjashtë shkolla të tjera: “Zenel Hajdini” dhe “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, “Ganimete Terbeshi” në Llukar, “Avni Rrustemi” në Mramur, “Teuta” në Grashticë dhe “Ditët e Minatorit” në Kishnicë, kjo e fundit me model të plotë për klasat 1 deri 9.
Reforma parashikon:
- Mësim të strukturuar gjatë gjithë ditës;
- Shujta të ngrohta dhe të shëndetshme;
- Ambiente të rinovuara;
- Pajisje digjitale dhe tabela të mençura;
- Aktivitete zhvillimore dhe kreative për nxënësit.
Kryetari Rama ka vizituar shkollën “Pjetër Bogdani”, ku punimet e renovimit tashmë janë përfunduar dhe janë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për vitin e ri shkollor.
Ai theksoi se kjo reformë, e nisur nga ish-drejtoresha Jehona Lushaku dhe që po vazhdohet nga drejtori aktual Samir Shahini, është dëshmi e vazhdimësisë institucionale dhe përkushtimit për të ndërtuar një sistem arsimor modern dhe gjithëpërfshirës në shërbim të brezave të ardhshëm.