Mësimi tërëditor po zgjerohet gradualisht në kryeqytet.
Aktualisht, 12 shkolla fillore në Prishtinë tashmë funksionojnë me këtë model, ndërsa nga viti i ri shkollor, këtij rrjeti pritet t’i shtohen edhe institucione të tjera.
Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, thotë se rreth katër shkolla janë në fazën përgatitore dhe shumë shpejtë mund të bëhen pjesë e sistemit të mësimit tërëditor.
“Jemi duke punu paralelisht në disa shkolla për ti ambientuar të gjitha ato për t’I bërë në mësim tërëditorë. Disa që mund ti përmendi që janë më gati, shkolla “Afrim Gashi” në Hajvali që plotëson shumë kritere për mësim tërëditor, mirëpo kemi edhe shkolla të fshatrave, por edhe të zonës urbane që do të përfshihen në kuadër të kësaj”, ka thënë Elshani.
Megjithatë, përgatitjet brenda objekteve shkollore ende nuk kanë nisur.
Komuna është në pritje të nënshkrimit të kontratës më Ndërmarrjen Publike Banesore, proces që do t’i hapë rrugë punimeve për përshtatjen e ambientit.
“Sapo kjo të përfundojë do të ambientohen shkollat, është çështje ditësh prej kur do të fillojnë punimet, ato hapësira janë thuajse të gatshme, pra nevojiten pak cështje estetike, intervenime të lehta, të cilat nuk do shumë kohë për tu finalizuar në tërësi. Ekipet e NPB janë duke punu edhe për hapjen e kopshtit në Mramor, andaj kjo pak po na krijon vështirësi”, ka shtuar Elshani.
Derisa Prishtina po e zgjeron çdo vit këtë model, komunat e tjera të Kosovës ende nuk kanë nisur ta zbatojnë atë.
Njohësit e Arsimit vlerësojnë se pengesa kryesore mbetet mungesa e infrastrukturës dhe kostoja e lartë financiare.
“Nuk kanë hapësira për shërbimin e ushqimit, për aktivitete të lira, duhen investime domethënëse për krijimin e kushteve të tilla. Pastaj e kemi situatën e sigurimit të fondeve të shpenzimeve operativee, sic është pagesa ditore e vakteve ushqimore, pagesat shtesë që lidhen me zgjatjen e orarit në shkollë, duke filluar nga ngrohja e deri te pastrimi”, ka thënë ish-zv.ministri i Arsimit, Dukagjinin Pupovci.
Ndërkohë, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka zhvilluar takime me përfaqësues të Kuzhinës Qendrore për zgjerimin e kontratës së furnizimit me ushqim, marrëveshje kjo që sipas komunës, pritet të finalizohet javën e ardhshme.