Data 15 mars 2025 tashmë ka hyrë në historinë serbe si dita kur në rrugët e Beogradit u mblodh numri më i madh i qytetareve dhe qytetarëve ndonjëherë, që nga shpërbërja e Jugosllavisë së vjetër.

Një ditë që e tejkaloi edhe 5 tetorin revolucionar për nga numri i protestuesve në rrugë dhe rrëzimi i regjimit të diktatorit Sllobodan Millosheviq.

Ka pasur shumë kritika ndaj organizatorëve të asaj proteste, studentëve, se duhej që atëherë, para më shumë se dy muajsh, të kishin dalë me një kërkesë të qartë drejtuar Aleksandar Vuçiqit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke shfrytëzuar fuqinë dhe energjinë e atij momenti, përkatësisht pasojat e asaj ndërmarrjeje, që nxori në rrugë disa qindra mijëra njerëz të revoltuar.

Studentët këtë kërkesë e bënë në fillim të majit, duke i drejtuar thirrje për shpalljen e zgjedhjeve, por që nga ajo kohë e deri më sot nuk kanë bërë përpjekje për të ftuar sërish qytetarët në rrugë me një kërkesë të qartë se nuk do të largohen prej andej derisa Vuçiq të deklarojë se pranon kërkesën për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Bashkëbiseduesit e gazetës Danas, profesorë universitetesh që merren me shkencat shoqërore dhe janë vëzhgues të kujdesshëm të zhvillimeve aktuale shoqërore e politike, megjithatë, besojnë se është e mundur që 15 marsi të përsëritet. Ata besojnë në taktikën e studentëve dhe në planifikimin për realizimin e një ndërmarrjeje të tillë, duke shtuar pyetjen se kur është momenti i duhur për ta bërë këtë, dhe njëkohësisht këshillojnë që në atë ditë, t’u thuhet të gjithë atyre që u përgjigjen thirrjes së tyre – të mos shkojnë në shtëpi, të mos shpërndahen, derisa Vuçiq të shpallë pranimin e kërkesës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.