Ka kaluar një vit që po pret por radha ende nuk i ka ardhur për të kryer një shërbim me rëndësi në institucionet shëndetësore.

Ndonëse me një gjendje jo stabile, Xhafer Feta nga Fushë Kosova, po pret për të kryer një koronarografi në Qendrën Klinike Universitare.

Ai tregon për televizionin se nuk ka kushte financiare që këtë shërbim ta kryej pa pritje në një klinikë private.

“E kemi ba kërkesën na e kanë marr emrin me numër të telefonit me të gjitha, jam kanë vetë tha jemi të tetorit të vitit 2021 tu i thirr për me bërë një koronarografi. Nëse na pret ymri e presim deri të na vije radha nëse jo s’kem çka bëjmë se s’kem mundësi tjera për me shkua në privat. Edhe familjaret po i trishtojmë me këtë pasi mjeku na ka thanë urgjent dhe po duhet me këqyrë alternativa të tjera por s’kemi mundësi”, ka deklaruar Xhafer Feta-Pacient.

Me problemin e njëjtë po ballafaqohen edhe pacientët të cilët edhe kanë pësuar më parë infarkte. Pritja tashmë është bërë normale për ta.

“Qe dy muaj ma kanë qit me bërë këtë por po duhet më prit në renë, po ka shumë pritje në proces. Po na dëmton kjo pritje por po mundohemi me tejkalua me barna. Privat jo si kemi kushtet me shkuar në privat po presim”, ka thënë Hanife Rafuna-Pacient.

Ankesa për këtë kanë pranuar edhe në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve.

“Aty lista shkon më shumë se një vit. Duke e ditur se kjo është diçka shumë e ndjeshme pasi pacientët rrezikojnë edhe me jetë duke pritur dhe ne kemi kërkuar që në këtë klinikë mos të ketë fare pritje. Nuk mund të pres një pacient që ka infarkt të pres më shumë se një vit për një koronarografi”, ka thënë Besim Kodra-Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

Por, të heshtur për arsyet e kësaj pritje të stërzgjatur,  janë institucionet përgjegjëse.

Më lista të gjata të pritjes për të kryer ekzaminimin, i cili siguron një pamje të hollësishme të enëve të cilat furnizojnë zemrën me gjak, pacientët janë ballafaquar edhe viteve të kaluara.