Pritje për barna para Onkologjisë, SHSKUK në pritje për furnizime
Nënën në moshë të shtyer, të diagnostifikuar me kancer në mëlqi, Don Fondaj e sjell disa herë në javë për trajtim në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Koosvës. Për terapinë që kohëve të fundit po i duhet, disa barna i siguron vet, e për të tjera pritjen po e bëjnë pranë Klinikës. […]
Nënën në moshë të shtyer, të diagnostifikuar me kancer në mëlqi, Don Fondaj e sjell disa herë në javë për trajtim në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Koosvës.
Për terapinë që kohëve të fundit po i duhet, disa barna i siguron vet, e për të tjera pritjen po e bëjnë pranë Klinikës.
Pritja, mund të shkojë nga disa orë e deri në disa javë, por arsyetime nuk marrin.
“S’ka ndodhë me më thanë s’ka terapi, po kanë thanë hajde nesër, hajde javën tjetër. Sipas meje kjo ka qenë arsyeja. S’tregojnë direkt. Përafërsisht po bëhen herë 60, herë 120 n’ditë… varet sa ka nevojë, Don Fondaj, djali i një paciente në Klinikën e Onkologjisë.
Pyetje: A ke parë pacient që u është thënë se s’ka terapi dhe duhet ardhur më vonë?
“.. po, po. Edhe sot ke një. Kërkesa ime është që normal kjo sëmundje është më e rëndësishme, le të merret më seriozisht, jo hajt se mirë mirë…”, ka thënë Don Fondaj, djali i një paciente në Klinikën e Onkologjisë.
Njësoj sikurse zonja, ka edhe të tjerë që përpos luftës me kancerin, barnat duhet t’i sigurojnë vet nga të ardhurat e një pensioni.
“… Kush të vjen ankohet se s’ka barna, mandej po duhet me i ble. Ai që s’ka, qysh i blen? humë shtrenjtë. Këtë e morra 25 euro, 50 euro dy barna, pensionin 180 euro. Dhashtë zoti bëhet ma mirë”, ka thënë Pacient në Klinikën e Onkologjisë.
E se ka mungesa, e ka pranuar edhe vet SHSKUK-ja por s’ka dhënë afat se sa pritet të zgjasë kjo mungesë.
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) njofton se furnizimi me barna dhe material shpenzues në Klinikën e Onkologjisë ka qenë në nivelin 90% gjatë periudhave të mëparshme, ndërsa aktualisht furnizimi është në nivelin rreth 80%. Produktet që mungojnë janë në procedurë të prokurimit, për disa nuk ka pasur ofertues. ShSKUK bën të ditur se të gjitha procedurat janë riinicuar dhe pritet që të sigurohet edhe furnizimi me këta artikuj që aktualisht janë në mungesë.
Lidhur me mungesat e tjera, të raportuara në medie, ShSKUK thekson se për një pjesë të konsiderueshme të tyre tashmë janë lidhur kontratat për furnizim dhe pritet që procesi i furnizimit të realizohet shumë shpejt. Ndërkohë, disa lëndë vazhdojnë të jenë në shqyrtim nga Organi Shqyrtues të Prokurimit Publik, e që po shkakton vonesa për t’u furnizuar-Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
Sipas njohësve të punës së këtij institucioni, SHSKUK duhet të kërkojë përgjegjësi nga zyrtarët e saj.
“Është për keqardhje se disa barna janë në listën esenciale e edhe detyrim i SHSKUKsë për t’i siguruar ato mirëpo, shpeshherë për shkak të keqmenaxhimit, mungesës së përgjegjësisë kryesisht nga zyrtarët e administratës për të kyer procedurat me kohë dhe për t’i furnizuar klinikat. SHSKUK duhet të kërkoj llogari dhe përgjegjësi zyrtarëve përgjegjës që të iniciohen me kohë procedurat për kontraktimin e produkteve. Papërgjegjësi e madhe dhe skanadaloze”, ka thënë Bujar Vitia, gazetar i shëndetësisë.
Siç ndodh rëndom, Ministria e Shëndetësisë i ka hedhur përgjegjësinë SHSKUK-së me ç’rast, ka deklaruar për Dukagjinin se furnizimi i takon asaj duke theksuar se mbeten në kontakt të vazhdueshëm duke monitoruar situatën.















