Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, ka deklaruar se raportet ndërkombëtare për zgjedhjet në Kosovë do të kenë dy faza: dita e zgjedhjeve do të vlerësohet pozitivisht, por procesi i numërimit nga KQZ-ja pritet të kritikohet për mungesë përgatitjeje

Në FIVE të Dukagjinit, Rashiti theksoi se raporti i Këshillit të Evropës do të përmendë presionin e Serbisë ndaj votuesve serbë, por fokusi kryesor do të zhvendoset tek problemet në procesin numërimit të votave.

“Jam i bindur që në procesin e raporteve ndërkombëtarëve për zgjedhjet do të kemi dy faza. Fazën e  ditëve të zgjedhjeve, që do të kualifikohet si ditë shumë e mirë, që kemi më raporte dhe deklarata preliminare.

Dhe procesi i numërimit i KQZ-së do të kritikohet. Me të drejtë, por tërësisht e panevojshme. Tërësisht mungesë e përgjegjësisë dhe mos përgatitje.

Sepse do gjenerojë një raport shumë pozitiv krahas kësaj here, përfshirë edhe pjesëmarrjen e serbëve. Me theks së veçantë ku thotë raporti i Këshillit të Evropës, që Serbia po ushtroi të njëjtin presion edhe menaxhoi procesin zgjedhor për serbët. Tani në vend që të ruhej theksi atje, do të jetë procesi i numërimi thelbi i raportit”, ka thënë Rashiti në FIVE të Dukagjinit.

Para pak ditësh, Nathalie Loiseau, shefe e misionit vëzhgues të BE-së në Kosovë, ka thënë se numri i partive politike serbe që morën pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit ishte hap pozitiv, por shtoi se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhje duke e mbështetur vetëm Listën Serbe.