Në studion e Radio Dukagjinit, çdo të mërkurë në kuadër të emisionit “Jeto” me Xheneta Asllanin, diskutohen problemet e shëndetit mendor.

Këtë javë e ftuar në emision ishte psikologia dhe psikoterapistja Antigona Qenaj Sejdiu, dhe u diskutua për problemet në çift gjatë martesës, si dhe gjërat që çojnë tek divorci.

Qenaj Sejdiu deklaroi se martesa zakonisht fillon me pasion e dashuri, ku gjithçka është e bukur, e problemet fillojnë kur pasioni fillon të bjerë për shkak të kalimit të kohës, pasi gjërat nuk mund të qëndrojnë gjithmonë siç janë në fillim. E telashet e mëdha sipas saj, në çift i shkaktojnë sfidat e problemet që dalin rrugës, pasi partnerët jo gjithmonë gjejnë mekanizma të përbashkët për zgjidhjen e problemeve, duke pasur koncepte të ndryshme për problematika të caktuara.

Këto janë kohët sipas psikologes, ku çifti e kupton se nuk mjaftojnë vetëm dashuria e pasioni. Problem sipas saj na shkakton edhe partneri ideal të cilin e kemi krijuar në kokën tonë dhe e presim, e partneri real ndoshta ka karakteristika të atij idealit që kemi krijuar, mirëpo jo të gjitha gjërat do të përputhen. E në vend që ne ta pranojmë partnerin siç është dhe të gjejmë pikat e përbashkëta, ne nuk arrijmë me njoftë siç duhet, pasi personi ideal në mendjen tonë është pengesë.

Qenaj Sejdiu thekson se është e vështirë të ndërrohen pas martesës konceptet me të cilat rritemi. Pastaj edhe sjellja në jetë e një fëmije shton shpesh mosmarrëveshjet se si duhet vepruar me rritjen e tij. Ndarja e obligimeve brenda shtëpisë po ashtu krijon tensione brenda çiftit, e pa harruar edhe problemet ekonomike, të gjitha këto çojnë në konflikte.

Një tjetër arsye që cek psikologia është edhe depresioni, që zakonisht i prek gratë, e sidomos pas lindjes. Kjo krijon probleme me partnerin, pasi ai mendon se gruaja po i bën këto gjëra qëllimisht, e pastaj vjen edhe deri tek rritja e xhelozisë.

Psikologia shton se ne si shoqëri nuk jemi shoqëri motivuese, e kemi të vështirë dhënien e një komplimenti ose një fjale të ëmbël, e në shumë raste në një çift të martuar një gjë e tillë do të kryente shumë punë.

Qenaj Sejdiu deklaroi se në vendin tonë kemi një mungesë të tmerrshme të edukimit seksual, pasi interneti është e vetmja dritare ku marrim informacione për seksualitetin, e që jo gjithmonë është informacioni i duhur. Kësisoj, thekson psikologia, ka çrregullime të shumta të seksualitetit që vijnë si pasojë e shëndetit mendor, e ankthit, e personat nuk kanë informacione se duhet të drejtohen tek psikologët. Probleme të tilla seksuale sipas saj mund të çojnë tek ndarja, apo tek tradhëtia e partnerit, që në shumicën e rasteve edhe kjo çon tek ndarja.