Procesi i sigurimit të njohjeve nga 117 shtete

Në web-faqen e MPJD-së, aktualisht janë të shënuar emrat e 117 shteteve që e kanë njohur Kosovën.

Edhe pse në listën e njohjeve, zyrtarisht shteti i parë që njohu Kosovën figuron Kosta Rika, megjithatë në ditën e pavarësisë është raportuar se Qeveria e Kosovës njohjen e parë e mori nga Afganistani.

Ndër të parat shtete që njohën Kosovën pa i mbushur 24 orë si shtet, pas Afganistanit e Kosta Rikës ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, Turqia.

Dy ditë pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova u njoh edhe nga Australia dhe Republika e Senegalit, më 19 shkurt të vitit 2008.

Në javën e parë të pavarësisë, Kosova u njoh edhe nga Gjermania, Latvia, Danimarka, Estonia, Italia, Luksemburgu dhe Peru.

Më pas ishin Belgjika, Polonia, Zvicra, Austria, Irlanda, Suedia, Holanda, Islanda, Sllovenia, Finlanda, Japonia, Kanada, Monako, Hungaria, Kroacia, Bullgaria, Litejnshtajni, Korea, Norvegjia, Ishujt Marshall, Burkina Faso, Republika e Naurus, Lituania, San Marino, Çekia, Liberia, Republika Sierre Leone, Kolombia, Belize, Malta, Samoa, Portugalia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Emiratet e Bashkuara Arabe, Malajzia, Shtetet Federative të Mikronezisë.

Ndërkaq, viti 2009 nisi me njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Panama, pikërisht më 16 janar të vitit 2009.

Një muaj më vonë se Panama, Kosova u njoh edhe nga Maldives, duke u pasuar nga Republika e Palaut, Gambia, Mbretëria e Arabisë Saudite, Bashkimi i Komoros, Mbretëria e Bahreinit, Mbretëria Hashemite e Jordanisë, Republika Domenikane, Zelanda e Re, Republika e Malaëi, Mauritania, Mbretëria e Swaziland, Republika e Vanuatu, Republika e Xhibutit, Republika Federale e Somalisë, Republika e Hondurasit, Republika e Kiribatit, Tuvalu.

Ndërkaq, viti 2011 nisi me njohjen nga Shteti i Katarit, Republika e Guinea-Bissau, Sulltanati i Omanit, Principata e Andorrës, Republika e Afrikës Qendrore, Republika e Guinesë, Republika e Nigerit, Republika e Beninit, Shën Luçia, Republika e Gabonit, Republika e Bregut të Fildishtë, Shteti i Kuvajtit.

Ndërsa, Republika e Ganës bashkë me Republika e Haitit, Sao Tomé dhe Principe, Brunei Darussalam, Republika e Çadit, Republika Demokratike e Timor-Leste, Shteti i Pavarur i Papua Guinesë së Re, Republika e Burundit, Republika e Fixhit, Shën Kitts dhe Nevis, Commonwealth of Dominica, Republika Islamike e Pakistanit, e njohën Kosovën si shtet të pavarur në vitin 2012.

Ndryshe, në vitit 2013, Kosova ështënjohur nga Republika Kooperative e Guajanës, Republika e Bashkuar e Tanzanisë, Republika e Jemenit, Republika Arabe e Egjiptit, Republika e El Salvadorit, Mbretëria e Tajlandës, Grenada, Libia.

Në vitin 2014, Kosovën e njohën si shtet edhe Tongo, Mbretëria e Lesotos, Mbretëria e Tongës, Ishujt Solomon.

Gjatë vitit 2015, Kosova u njoh vetëm nga tre shtete: Ishujt Kuk, Antigua dhe Barbuda, Niue.

Kurse gjatë viteve 2016 dhe 2017, Kosova u njoh vetëm nga dy shtete ër secilin vit.

Më 2016, Pavarësia e Kosovës u njoh nga Republika e Surinamit dhe Republika e Singaporit, kurse më 2017, Republika Popullore e Bangladeshit dhe Madagascar.

Më 2018, Barbados u radhit në listën e shteteve që njohën Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik.

Ndërkaq më 2019 dhe 2020, diplomacia kosovare nuk kishte arritur të sigurojë as një njohje.

Izraeli është vendi i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosovë, dy vite më parë pas marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë në Washington, pikërisht më 2021.

Fushata e Serbisë për çnjohje të Pavarësisë së Kosovës

Që kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, Serbia e ka kundërshtuar atë dhe ka tentuar që t’i bindë shtetet që të mos e njohin Kosovën ose të tërheqin njohjen.

Pavarësisht se Serbia shpesh ka njoftuar për tërheqjen e njohjes, ekspertët kanë thënë se sipas normave ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare, nuk mund t’i tërhiqen njohjet.

Serbia ka nisur fushatën për çnjohje që nga viti 2017. Ndërkaq, që nga pavarësia, tenton ta bllokojë Kosovën që të anëtarësohet në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë.

Më herët, Serbia kishte pretenduar se Kosovën e kishin çnjohur këto shtete: Sao Tome dhe Principe, Surinami, Guinea Bisao, Burundi, Liberia, Papua Guineja e Re, Lesoto, Komonuelthi i Dominikës, Grenada, Unioni i Komoreve, Ishujt Solomon, Madagaskari, Palau, Togo, Republika Qendrore e Afrikës, Gana, Siera Leone dhe Nauru.

MPJ e Serbisë ka pretenduar se Surinami ka qenë vendi i parë që ka tërhequr njohjen e Kosovës në fund të tetorit të vitit 2017. Burundi, sipas Beogradit, ka njoftuar institucionet e Serbisë në shkurt të vitit 2018, pasuar nga Lesoto, Republika Domenikane dhe Grenada në tetor të po atij viti. Ndërkaq, në janar të vitit 2019, Serbia pretendoi se edhe Palau ka tërhequr njohjen e Kosovës.

Qeveria e Serbisë, po ashtu, më herët kishte njoftuar se ka hequr vizat për qytetarët e këtyre shteteve pas tërheqjes së njohjes së Kosovës.

Serbia është varur shumë në ndihmën e Rusisë, kur bëhet fjalë për pengimin e Kosovës në anëtarësimin në organizata dhe mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë.

Rusia – një prej pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – së bashku me Kinën, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe mbështesin Serbinë.

Përvjetori i dytë i qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, po e gjen atë me një situatë të rëndë në politikën e jashtme dhe në Shërbimin e Jashtëm, vlerësojnë njohësit e diplomacisë.

Pjesa e programit qeverisës që i kushtohet politikës së jashtme, kryesisht fokusohet në rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Kjo, përmes njohjeve të reja, si dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro, që janë pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, dhe të njëjtat, kanë shprehur rezerva sa i përket njohjes, pa u arritur një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Për Emir Abrashin – njohës i politikës së jashtme, përgjatë këtyre dy viteve, ka pasur një mungesë konsistence nga ana e qeverisë në politikë të jashtme, dhe, sipas tij, këto dy vite janë karakterizuar me mungesë komunikimi dhe bashkëpunimi me aleatët kryesorë të vendit.

“Shërbimi i Jashtëm në përgjithësi është në një situatë të keqe, dhe është jofunksional. Lufta e brendshme dhe spastrimet që Gërvalla po i bën kanë shkaktuar mosbesim te diplomatët e Republikës së Kosovës, të cilët rrjedhimisht edhe janë të pamotivuar për të shtyrë para interesat e vendit. Pra, qasja e ministres brenda për brenda strukturës së Ministrisë, i ngjan më shumë gjuetisë së shtrigave, sesa një reformimi të mirëfilltë të Shërbimit të Jashtëm”, ka thënë Abrashi në një prononcim për Portali Dukagjini.

Sipas tij, është e pafalshme që të vazhdohet me të njëjtin avaz dhe se duhet te ketë një ndryshim radikal të qasjes ndaj politikës së jashtme.

Në anën tjetër, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, thotë se MPJ-ja duhet të fokusohet në ndërtimin e marrëdhënieve bilaterale fqinjësore dhe më gjerë; promovimit të imazhit dhe vlerave të Kosovës; përfaqësimin dinjitoz të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit kudo që e mundur; angazhimit të pakusht për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës, NATO dhe Union Evropian; si dhe promovimit të mundësive dhe potencialeve ekonomike për investime të jashtme në vendin tonë.

Sipas tij, secila nga këto dhe të gjitha së bashku, do të përbënin interes vital për shtetin e Kosovës.

Ai theksoi se shërbimit të jashtëm të Kosovës i ka munguar një konsistencë e aktiviteteve diplomatike, i ka munguar një strategji e mirëfilltë, e po ashtu edhe objektiva të qarta strategjike.

Ndërkaq, ndonëse raportohej se Togo ka tërhequr njohjen, për këtë gjë është deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se marrëdhëniet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Togos, nuk kanë ndryshim.

Kështu është përgjigjur ai në pyetjen e deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila ka pyetur se kur është pranuar vendimi për tërheqjen e njohjes nga Togo.

“Republika e Togos ka deklaruar njohjen e Republikës së Kosovës më 2 korrik 2014. Lajmin e recikluar nga ministri i tyre i jashtëm Daçiq, për herë të parë e kemi dëgjuar nga po i njëjti më 2019, edhe kësaj radhe nuk kemi pranuar dokument nga Togo për një vendim të tillë eventual. As dokument, as vendim, asnjë shkresë nga Togoja për çnjohje, as nuk na ka ardhur, as nuk ka, as nuk ekziston”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se në korrespondencat diplomatike me Togon nuk ka asnjë indikacion, as dokument a vendim për shkëputje të marrëdhënieve diplomatike.

Sipas Kurtit, kjo mund t’ia ketë përkëdhelur egërsinë Beogradit karshi Kosovës, por midis Kosovës dhe Togos nuk ka kurrfarë dallimi në marrëdhëniet e tyre.

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika