Profesori Ismajli: Partitë kanë luajtur lojëra politike që nga 15 prilli
Faton Ismajli, profesor universitar, në FIVE në RTV Dukagjini ka folur lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, por edhe për masën e përkohshme e cila ndalon çdo veprim të deputetëve deri më 8 gusht. Ai ka thënë se befasia më e madhe nga Gjykata Kushtetuese ishte aktgjykimi i fundit, ku nuk […]
Faton Ismajli, profesor universitar, në FIVE në RTV Dukagjini ka folur lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, por edhe për masën e përkohshme e cila ndalon çdo veprim të deputetëve deri më 8 gusht.
Ai ka thënë se befasia më e madhe nga Gjykata Kushtetuese ishte aktgjykimi i fundit, ku nuk u përcaktuan pasojat se çfarë ndodh pas afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Në fakt, qartësia e vetme ishte që kishte një afat 30-ditor, ndërkohë s’kishte pasoja. Tash çkado që veprohet nuk është më befasi, për shkak se edhe Gjykata Kushtetuese në njëfarë forme po dëshiron të ndalë pasojat eventuale të një kaosi ligjor dhe kushtetues në të cilin po futet vendi në rast se nuk ndodh ky konstituim”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se kemi precedentë të mëhershëm ku ka pasur shkelje kushtetuese, por që nuk kanë pasur pasoja.
“Te rasti aktual është që Gjykata Kushtetuese ka caktuar një afat kohor në të cilin duhet të bëhet konstituimi, dhe nëse nuk ndodh, pastaj ajo i dha një afat kohor diku 12-13 ditë për të qartësuar se cilat janë pasojat”, ka thënë Ismajli.
Ismajli ka shtuar tutje se partitë politike, që nga 15 prilli, nuk kanë bërë veprime serioze për konstituimin e Kuvendit.
“Secila prej tyre, e më së shumti përgjegjësi ka partia e parë, kanë bërë lojëra. Kanë ofruar zgjidhje, kanë ofruar mundësi për të bërë zgjidhje politike, por secila ka kalkuluar edhe në aspektin elektoral”, ka thënë ai.















