Aktorët, William Baldwin, Zherar Depardje, Tony Robinson, Maria Graziacucinotta e të tjerë do të bashkëpunojnë me regjisorin nga Kosova, Arben Kastrati, për projektin kinematografik “Unë dhe Millosheviçi”.

Projekti filmik “Unë dhe Millosheviçi” trajton krijimin e një heroi aksidental.

William Baldwin ka thënë se skenari i këtij filmi është i mrekullueshëm, tërheqës dhe me të papritura.

Aktori Baldwin ka treguar se është i familjarizuar me ambientet e punës në Kosovë.

“Historinë se çfarë ka ndodhur në Bosnjë apo këtu në Kosovë e kam përcjellë për së afërmi dhe kam qenë mbështetes i madh i komunitetit në ShBA që po bënte presion tek administrata Klinton dhe po e shtynin atë që të ndërhynte. Do të dëshiroja që ndërhyrja të ndodhte shumë më shpejt”, ka thënë aktori në një intervistë për Euronews Albania.

Baldwin për luftën në Kosovë ka rrëfyer se është krenar për njerëzit, të cilët janë ringritur e jetojnë me kaq pasion.

Regisori i projektit filmik, Arben Kastrati ka thënë se është kosto shumë e madhe për të sjellë aktorë të huaj në Kosovë.

Regjisori i filmit ka rrëfyer se kostoja e këtij projekti kinematografik kap vlerën e 3.8 milionë eurove, por mbështetja institucionale për të po mungon.

Filmi “Unë dhe Millosheviqi” pritet të dalë në kinema për publikun gjatë vitit 2023, gjersa synon pjesëmarrjen në festivalet kryesore në botë.